Tiranë, 04 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama publikoi sot një mesazh të dërguar nga një qytetar vlonjat për situatën në zonën e Zvërnecit sot.
Rama u shpreh se pamjet janë pasqyrë e qartë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane, konkurrentët e Shqipërisë Turistike dhe të verbërit e “Shqipërisë së shqiptarëve” duan ta mbajnë të gjithë bashkë tamam kështu si është sot – siç do ta shihni vetë – tokë të ndotur e të paprekur nga tradhtia ime, që dua të sjell një investim 4 miliardë në funksion të një projekti që e kthen Vlorën në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës, ndërsa Shqipërinë e ngjit në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror.
Rama theksoi se shpreson që tanimë t’u jetë pastruar gjaku nga helmi i luftës hibride online atyre të tijve, që u dëshpëruan prej një rreziku imagjinar.
“Përshëndetje Kryeministër! Jam vlonjat dhe pro investimit në Zvërnec. Mos ndalo. Po të nis një video dhe te lutem postoje. Behet fjale fiks për zonën ku njerëz te papërgjegjshëm qe dhe ndoshta janë ngritur në protestë e kanë katandisur zonën e mbrojtur si mos me keq. Kurse ata që erdhën për sherr dihet që e kane me ty jo me natyrën se po ta kishin për natyrën duhet të shanin pse është ber hale, jo pse do te hedhesh 4 miliardë që s’janë hedhur tërë historinë në anët tona. Shihe videon dhe nëse do mund të të nis dhe video të tjera të zonave ku mbrohen me ligj po nuk mbrohen dot nga njerëzit e liq pa tru qe sa me shumë plehra hedhin poshtë aq me tepër çirren me zërin lart. Të falënderoj nëse e merr në konsideratë këtë video dhe tregoja Shqipërisë se duan të sabotojnë zhvillimin qe e shëron këtë zonë. Bëje këtë zhvillim e vlonjatët do të të bekojnë në breza. Këta jo nuk e duan Shqipërinë aq sa thonë po e duan edhe pa te huaj qe ta kthejnë si Vlora para se ta merrje ti në dorë. Po të nis videon”.
