Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit PISA, duke thënë se ato nuk përbëjnë dështim të fëmijëve, por të politikave që, sipas tij, duhet t’i përgatisnin ata më mirë.
Rama ka deklaruar se të rinjve të Kosovës nuk u mungojnë talenti, inteligjenca dhe ambicia, por sipas tij, u mungon një shtet që potencialin e tyre e trajton si prioritet.
Ai ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet sistemi arsimor, duke e krahasuar atë me politikat dhe investimet e bëra në kryeqytet.
Sipas Ramës, Qeveria e ka nisur vitin shkollor me probleme rreth librave dhe ditarëve, ndërsa Prishtina ka instaluar 180 tabela digjitale dhe ka pajisur me teknologji moderne më shumë se 70 për qind të klasave.
Ai ka përmendur edhe instalimin e kurrikulës digjitale në shkollat e kryeqytetit, si dhe zgjerimin e programit të mësimit gjithëditor nga pesë në 16 shkolla.
Rama ka theksuar gjithashtu investimet në mirëqenien e nxënësve, duke përmendur shujtat e ngrohta, menytë e hartuara nga nutricionistët, dollapët për nxënësit dhe aktivitetet shtesë për zhvillimin social, emocional dhe fizik.
Në reagimin e tij, Rama ka kritikuar edhe mënyrën e përdorimit të inteligjencës artificiale nga Qeveria, ndërsa ka thënë se kryeqyteti e ka integruar AI-në në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“PISA duhet të jetë alarm për Qeverinë, jo aktakuzë ndaj fëmijëve tanë”, ka shkruar Rama, duke shtuar se kur të rinjtë kanë potencial, por shteti dështon ta zhvillojë atë, përgjegjësia, sipas tij, bie mbi qeverisjen.
“Nota është e qeverisjes”, ka përfunduar Rama.
