Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ZNM) prezantoi Raportin Vjetor “Treguesit për shkallën e lirisë së mediave dhe Indeksi i sigurisë së gazetarëve 2025”, i cili ofron një pasqyrë të plotë mbi liritë mediatike, pavarësinë profesionale dhe sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të mediave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Raporti evidenton se gjatë vitit 2025 janë shënuar disa lëvizje pozitive, si krijimi i regjistrit të mediave online dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të këshillave të rregullatorit mediatik dhe të MRT-së. Megjithatë, reformat thelbësore dhe harmonizimi i plotë i legjislacionit kombëtar me rregullativën e Bashkimit Evropian, përfshirë Aktin Evropian për Lirinë e Mediave (EMFA), ende nuk janë përfunduar.
“Zbatimi praktik i garancive ligjore mbetet i paqëndrueshëm, ndërsa pavarësia dhe efikasiteti i një pjese të institucioneve vazhdojnë të jenë objekt debati publik”, thuhet në raport.
Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet Indeksit të sigurisë së gazetarëve, i cili vlerëson kushtet e punës përmes katër dimensioneve kyçe: mjedisi juridik dhe organizativ, parandalimi, procedurat institucionale dhe siguria faktike.
Gjetjet tregojnë përmirësim të reagimit institucional në disa raste të sulmeve fizike, por sfida serioze mbeten kërcënimet online, gjuha e urrejtjes, diskreditimet publike, pasiguria ekonomike dhe lufta ende joefikase kundër mosndëshkueshmërisë.
ZNM thekson se veçanërisht shqetësues është rritja e ngacmimeve online dhe sulmeve seksiste ndaj gazetareve, çka tregon se hapësira digjitale po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për gazetarinë profesionale.
Raporti nënvizon se brishtësia ekonomike e mediave mbetet një nga problemet kryesore. Statusi i ulët socio‑ekonomik i gazetarëve, veçanërisisht në mediat private dhe lokale, pasiguria e vendeve të punës dhe rreziqet e lidhura me rikthimin e mundshëm të reklamimit shtetëror mund të ndikojnë negativisht në pluralizmin mediatik, pavarësinë editoriale dhe transparencën në shpërndarjen e mjeteve publike.
Raporti vjetor është përgatitur në kuadër të rrjetit rajonal SafeJournalists, i cili këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit. Rrjeti përfaqëson iniciativën më të madhe rajonale për monitorimin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, ku ZNM merr pjesë së bashku me shoqatat partnere të gazetarëve nga rajoni.
Gjatë dekadës së kaluar, SafeJournalists ka zhvilluar një metodologji unike dhe të standardizuar kërkimore, e cila mundëson të dhëna të krahasueshme, relevante dhe të besueshme për vendet e rajonit. Gjetjet e raporteve të ZNM-së përdoren si burim referent edhe në dokumente ndërkombëtare për liritë e mediave dhe të drejtat e njeriut, përfshirë raportet e Komisionit Evropian dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Raporti paraqet një mjet të rëndësishëm për krijimin e politikave të bazuara në evidencë dhe për monitorimin e reformave në sektorin mediatik. Lufta kundër mosndëshkueshmërisë për sulmet ndaj gazetarëve, harmonizimi i rregullativës vendore me standardet evropiane dhe përmirësimi i kushteve profesionale dhe ekonomike të punës mbeten parakushte kyçe për gazetari të lirë, të sigurt dhe të pavarur në Maqedoninë e Veriut.
Raporti është publikuar në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze dhe është i qasshëm në faqen zyrtare të ZNM-së.
