Rebelët Huthi sulmojnë një bazë saudite, Irani mohon përfshirjen në konflikt

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sana’a, 14 shtator, Zhurnal.mk – Rebelët Huthi të Jemenit ndërmorën të sot një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë kundër objektivave ushtarake saudite, ndërsa Irani mohoi çdo përfshirje në luftën civile të rinisur në Jemen.

Grupi, i cili lufton kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht dhe të mbështetur nga Arabia Saudite, javën e kaluar mori kontrollin e bregdetit të Detit të Kuq dhe të ngushticës së Bab al-Mandabit.

Kjo rrugë detare është bërë veçanërisht e rëndësishme, pasi lufta më e gjerë mes SHBA-së dhe Iranit ka paralizuar trafikun në ngushticën e Hormuzit.

Rebelët Huthi deklaruan se kishin lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa drejt Arabisë Saudite.

Si pasojë, Mbrojtja Civile saudite lëshoi njoftime të shkurtra alarmi në qytetet fqinje Khamis Mushait dhe Abha.

Një banor i Khamis Mushait tha se kishte dëgjuar shpërthime të fuqishme, ndërsa zjarret vazhdonin të digjeshin për një kohë të gjatë.

“Sinqerisht, nuk mundëm të flinim fare“, tha ai.

Ngushtica e Bab al-Mandabit është bërë thelbësore për eksportet saudite të naftës, ndërsa Irani vazhdon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit si pjesë e luftës në Lindjen e Mesme. Huthit kanë shpallur gjithashtu një bllokadë detare ndaj Riadit.

Përshkallëzimi i luftimeve ka ndikuar sërish në rritjen e çmimeve të naftës, pasi rruga e gjatë përmes Kanalit të Suezit dhe rreth Afrikës mbetet tashmë e vetmja rrugë e sigurt për transportin e naftës saudite drejt tregjeve kryesore aziatike.

Luftimet e reja në Jemen po zhvillohen në një kohë kur lufta më e gjerë rajonale ka hyrë në një ngërç. Një takim i propozuar mes vendeve të Gjirit dhe Iranit për të diskutuar të ardhmen e ngushticës së Hormuzit u shty. Teherani akuzoi Riadin se po përdorte situatën në Jemen si „pretekst“ për të vonuar bisedimet.

Irani ka mbështetur prej kohësh rebelët Huthi, të cilët janë pjesë e të ashtuquajturit “bosht i rezistencës“ kundër Izraelit, duke u ofruar armë dhe teknologji.

Megjithatë, analistët kanë pikëpamje të ndryshme për shkallën e përfshirjes së Iranit në përshkallëzimin e fundit të luftimeve.

“Irani nuk ndërhyn në çështjet e Jemenit“, deklaroi sot  zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqae. “Rebelët Huthi janë aktorë plotësisht të pavarur, të cilët i marrin vendimet e tyre bazuar në interesat e veta“, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër