RMV mposhti Indinë, Dubain, Singaporin dhe Abu Dabin, fitoi çmimin për ekselencë në sigurinë në komunikacion

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Maqedonia ka fituar çmimin për ekselencë në sigurinë në komunikacion në Samitin Botëror të Policisë në Dubai, me projektin “Qytet i Sigurt”, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Sipas tij, projekti maqedonas u shpall fitues në konkurrencë me Policinë e Singaporit, Policinë e Abu Dabit, Drejtorinë e Rrugëve dhe Transportit të Dubait dhe shërbimin policor të shtetit indian Maharashtra. Nga pesë kandidaturat në kategorinë përkatëse, është përzgjedhur projekti i Maqedonisë.

Për çmimet e këtij samiti këtë vit kanë arritur më shumë se 700 nominime nga mbi 60 shtete, të ndara në 13 kategori. Pas vlerësimit profesional të kandidaturave dhe intervistave para komisionit, mirënjohja për sigurinë në komunikacion iu dha Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

“Pas këtij suksesi qëndrojnë ndryshimet ligjore, lidhja e institucioneve dhe një proces digjital që forcon zbatimin e qëndrueshëm të rregullave. Patëm guximin ta bëjmë hapin që ishte shtyrë prej vitesh dhe të marrim përgjegjësinë që projekti të vihej në funksion”, deklaroi Toshkovski.

Sipas të dhënave të prezantuara, në periudhën shkurt-tetor të këtij viti, në rrugët e Maqedonisë janë regjistruar 34 viktima më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose një ulje prej 31,5 për qind. Kjo, sipas MPB-së, është rezultat i veprimit të përbashkët të projektit “Qytet i Sigurt”, kontrolleve policore, ndryshimeve ligjore dhe masave parandaluese.

“Falënderoj zyrtarët policorë, ekipet juridike dhe teknike, si dhe qytetarët që kontribuojnë për një komunikacion më të sigurt. Kjo mirënjohje është edhe e juaja. Treguam se Maqedonia mund të garojë me botën. Tani duhet të dëshmojmë se përmirësimi do të vazhdojë edhe më tej”, theksoi ministri.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimit do të mbahet më 18 nëntor 2026 në Dubai, në kuadër të Samitit Botëror të Policisë.

artikuj të ndërlidhura