Shkup, 10 gusht Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka rrëfyer për angazhimin e tij të gjatë politik dhe arsyet që e kanë shtyrë të merret me politikë.
Në një rrëfim të rrallë në emisionin “Pressing One”, Thaçi tha se arsyeja kryesore e angazhimit të tij politik ka qenë gjithmonë, siç u shpreh ai, “interesi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”.
Duke folur për fillimet e tij në politikë, Thaçi tregoi se në moshë të re kishte pranuar të merrte drejtimin e një dege të partisë, me bindjen se do të merrej me zgjidhjen e problemeve për një periudhë të shkurtër.
“Kam pranuar të zgjidhem kryetar dege, do futesha dhe për 6 muaj do zgjidhja problemet… Tash bëhen 33 vjet që jam aty…”, deklaroi Thaçi.
Ai theksoi se angazhimi i tij politik, i cili filloi me një mandat që fillimisht e kishte menduar si afatshkurtër, është shndërruar në një rrugëtim prej më shumë se tri dekadash në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Thaçi është një nga figurat më jetëgjata të politikës shqiptare në vend dhe që nga fillimet e pluralizmit politik ka qenë pjesë e zhvillimeve kryesore politike që kanë prekur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
https://www.facebook.com/reel/2264137594388928/?t=0
