Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Vendimi i Bankës Popullore për të rritur normën bazë të interesit nga 4% në 4,25% është një goditje e drejtpërdrejtë për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Në vend që të lehtësojë barrën e familjeve dhe bizneseve, ky hap e rëndon edhe më shumë gjendjen financiare të atyre që tashmë jetojnë nën presionin e kredive dhe çmimeve të larta, shkruan Zhurnal.mk
Shumica e qytetarëve janë në kredi
Në realitetin ekonomik të Maqedonisë së Veriut, kreditë janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Nga kreditë konsumatore për mbijetesë, tek kreditë hipotekare për strehim, qytetarët janë të lidhur ngushtë me bankat sepse rrugëdalje tjetër nuk kanë. Çdo rritje e normës bazë të interesit përkthehet menjëherë në rritje të kësteve mujore, duke e bërë jetesën edhe më të vështirë.
Kjo nuk është thjesht një lëvizje teknike është një vendim që prek drejtpërdrejt buxhetin e familjeve dhe i shtyn ato drejt kufirit të mbijetesës. Dhe, pastaj nuk duhet të habitemi kur të rritet numri i eksodit masiv se keqbërja politike e kriza ekonomike janë promotorët kryesorë që po dëshpërojnë gjeneratat e reja.
Pasojat e këtij vendimi
Familjet përballen me rritje të menjëhershme të pagesave të kredive, duke ulur fuqinë blerëse dhe duke shtuar pasigurinë. Kjo ndikon edhe në brengën se si do të menaxhojnë me të hyrat edhe ashtu të pakta tani edhe me të dalura më të larta.
Nga ana tjetër nëse e shohim këtë vendim për sa i përket zhvillimit ose mbijetesës apo zgjerimit të bizneseve është i pamundur. Pasi bizneset e vogla humbin mundësinë për të investuar, sepse kreditimi bëhet më i shtrenjtë.
Në vend që të mbrohemi nga inflacioni, ky vendim na sjellë një barrë të dyfishtë ku përballemi me çmime të larta dhe kredi të shtrenjta.
Banka Popullore flet për stabilitet të kursit të këmbimit dhe rezerva valutore të sigurta. Por këto tregues makroekonomikë nuk përkthehen në mirëqenie për qytetarët. Për ata stabiliteti është i pakuptimtë kur çdo muaj duhet të paguajnë më shumë për kredi, ndërkohë që të ardhurat mbeten të pandryshuara.
Ky është kontrasti i madh stabiliteti financiar i institucioneve kundrejt destabilitetit social të qytetarëve.
Prandaj, ky vendim tregon qartë se prioritetet e politikës monetare nuk janë të sinkronizuara me nevojat e shoqërisë. Në vend që të mbrohen qytetarët po sakrifikohen për të ruajtur një baraspeshë mes të hyrave dhe shpenzimeve. Nëse ky është çmimi i stabilitetit atëherë qytetarët po e paguajnë faturën më të rëndë. /Zhurnal.mk
