Tiranë, 12 shtator Zhurnal.mk – Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi shkollën profesionale “Charles Telford Erickson” në Golem, ku tradita mbi 100-vjeçare e arsimit bujqësor po ndërthuret me mësimin praktik, teknologjitë e reja dhe bashkëpunimin me biznesin.
Salla theksoi se në këtë shkollë nxënësit mësojnë përmes praktikës, duke u përfshirë në procese konkrete të prodhimit, nga kultivimi hidroponik dhe modelet e serave vertikale, deri te përpunimi i produkteve bujqësore.
Në ambientet e shkollës prodhohen edhe produkte si vaji i ullirit dhe reçeli i trëndafilit, duke krijuar një model ku njohuritë e fituara në klasë shndërrohen në aftësi praktike dhe produkte konkrete.
Salla bëri të ditur gjithashtu se, në bashkëpunim me shkollën, bizneset partnere dhe fermerët e zonës, do të punohet për krijimin e një shoqërie të bashkëpunimit bujqësor, me synim zgjerimin e këtij modeli dhe krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin dhe tregtimin e produkteve lokale.
