Sekuestrohen 166 dërgesa postare, kallëzim penal ndaj një kompanie dhe ndaj një personi në Maqedoni

Nga B.M
729 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 janar – Drejtoria e Doganave njofton se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj një kompanie postare dhe ndaj një personi, pasi sipas Doganës, kompania ofronte në mënyrë të paligjshme shërbime postare.

Nga Drejtoria e Doganave thonë se kompania bënte kontrabandë të dërgesave.

“Inspektorët doganorë të Departamentit të Hetimeve, në një veprim të koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Agjencinë Postare dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, kanë kryer një kontroll në një kompani që ofronte ilegalisht shërbime postare ndërkombëtare dhe kontrabandonte mallra. Gjatë kontrollit, u gjetën gjithsej 166 dërgesa postare me mallra të ndryshme, me një vlerë totale prej gati 240 mijë denarësh”.

“Mallrat e kontrabanduara u sekuestruan, dhe nga ana e inspektorëve u ngritën kallëzime penale kundër një personi juridik dhe një personi fizik për veprën penale të fshehjes së mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor. Konkretisht, kompania kryente trafik postar ndërkombëtar pa licencë të duhur, duke i transportuar dërgesat postare me mjete përmes pikave kufitare pa i deklaruar ato tek autoritetet doganore”.

“Më pas ato i ruante ilegalisht në një depo të cilën e posedonte me qëllim që ti transportonte deri te klientët, dhe për të cilat duhet të paguhej”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër