Senatorja amerikane: Zhvillimet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Ballkan

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Uashington, 10 tetor Zhurnal.mk – Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen ka theksuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se zhvillimet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Ballkan.

Gjatë një aktiviteti në Tiranë, të organizuar nga Këshilli Atlantik, Shaheen, e cila ushtron detyrën e kryetares së Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, foli për nevojën e forcimit të demokracisë dhe vazhdimit të partneritetit të Shteteve të Bashkuara me vendet e rajonit.

Ajo vuri në pah sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballet demokracia në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se brezi i ri i liderëve do të ketë rol të rëndësishëm në përcaktimin e së ardhmes së rajonit.

“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet te kufiri. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu”, deklaroi Shaheen.

Sipas saj, ruajtja e stabilitetit në rajon kërkon mbështetje të vazhdueshme për institucionet dhe marrëveshjet që kanë kontribuar në paqe.

“Nëse stabiliteti është objektivi ynë, politika amerikane duhet të përforcojë institucionet dhe marrëveshjet që kanë ndihmuar në ruajtjen e tij”, u shpreh senatorja amerikane.

Në përfundim të fjalës së saj, Shaheen iu drejtua qytetarëve shqiptarë me thirrjen që të jenë aktivë në jetën publike, të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

“Prandaj, qëndroni të angazhuar. Kërkoni institucione që punojnë në shërbimin tuaj. Krijoni biznese, kandidoni për poste publike, kërkoni llogari nga udhëheqësit tuaj dhe ndërtoni Shqipërinë në të cilën dëshironi të jetoni”, përfundoi Shaheen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër