Shabani kërkon lirimin e nënës së 3 të miturve: Nëse ajo nuk del nga qelia, jemi në shkelje me ligjin! Begaj propozon që 35-vjeçarja të përfitojë nga amnistia penale

Nga Xh M
825 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 korrik Zhurnal.mk – Avokati i Popullit Endri Shabani ka vizituar në burgun e Pojskës 34-vjeçaren me iniciale D.S., nga ku ka bërë me dije se ditën e nesërme pritet që të lirohet mamaja e tre fëmijëve të mitur që ra në pranga sapo shkeli në Rinas.

Në fjalën e mbajtur në lidhje me arrestimin e të resë, e cila ishte e dënuar me dy muaj burg për dhunën fizike të ushtruar ndaj vjehrrit të saj, Shabani bëri me dije se është çelur një hetim mbi mënyrën se si është zhvilluar procedura e burgosjes së të 34-vjeçares në kushtet kur ajo ka 3 fëmijë të mitur.

Shabani ngriti dyshimet se në lidhje me arrestimin e mamasë së 3 fëmijëve të mitur, mund të jenë bërë shkelje. Pas mbylljes së hetimeve për rastin konkret, Avokati i Popullit kërkoi që të merren masa në rast të shkeljeve.

Po ashtu, Shabani tha se ditën e nesërme do të ketë një seancë gjyqësore për rastin në fjalë dhe rivlerësimin e dënimit dhe shtoi se zonja do të lirohet përpara mesditës së nesërme. Nëse kjo nuk ndodh Shabani theksoi se kemi të bëjmë me shkelje të procedurave.

“Në bindjen time, zonja nesër para orës 12 do të jetë e lirë. Ne do ta ndjekim në çdo rrethanë dhe aty ku do të konstatojmë që është shkelur ligji, është abuzuar me procedurën, do të kërkojmë nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë marrjen e masave dhe pastaj respektivisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë apo Këshilli i Lartë Gjyqësor” tha Shabani.

Për arrestimin e 34-vjeçares mësohet se është interesuar dhe presidenti Bajram Begaj.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se Presidenti ka kërkuar informacione nëse e reja përfiton nga amnistia e nëse jo, ka kërkuar propozim zyrtar nga ministria e Drejtësisë për amnisti personale për të, pasi është nënë e tre fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve i sëmurë.

Nëna e tre të miturve në pranga sapo shkeli në Rinas, Jozefina Topalli për 34-vjeçaren që kishte rrahur vjehrrin: Shteti mos të bëhet i fortë me fëmijët
Fjala e plotë e Avokatit të Popullit:

Që kur jemi vënë në dijeni, dje, kemi nisur hetimin e çështjes. Kemi çuar një grup inspektimi në Komisariatin numër 6 dhe në Bllokun e Sigurisë për të verifikuar fazën e parë, ku ne dyshojmë që mund të jemi para një shkelje të procedurës. Duhet kuptuar a është problem sistemik apo është vetëm një rast, sepse një nënë me fëmijë në gji është mbajtur në Bllokun e Sigurisë për 72 orë. Mbas kësaj ka dalë një vendim i formës së prerë, ka qenë e panevojshme, po e hetojmë këtë çështje për të kuptuar këtë hallkën e parë. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, për drejtuesja e zyrës rajonale të Avokatit të Popullit… ka qenë, është paraqitur këtu, në IEVP-në përkatëse.

Ka kontaktuar të ndaluarën, ka kontaktuar administratën e burgut. Unë kam ardhur bashkë me dy komisionerët, me komisionerin Besnik Deda të sektorit të veçantë që merret me burgjet dhe me policinë, dhe me drejtuesen e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës, Ahmet Premçi. Bëmë inspektimin e kushteve ku po mbahet fëmija, kushteve ku po qëndron nëna dhe kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet, prokurorinë, kemi kërkesë edhe për gjykatën. Në bindjen time ditën e nesërme nëna do të lirohet.

Nëse nuk lirohet, do jemi përpara shkeljeve procedurale sepse nuk mund të mbahet, është e pamundur qoftë nga dispozitat e Kodit Penal, qoftë nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, është e pamundur që për veprën për të cilën është dënuar, fëmija që ka në gji të mbahet në këtë IEVP. Padyshim kushtet këtu janë më të mira sesa në IEVP-të e tjera, unë i inspektova vetë… Këto janë kushtet ku po mbahet fëmija dhe nëna, por kjo nuk ka rëndësi. Ajo nuk duhet të ishte këtu. Në vlerësimin tonë, në interpretimin që ne i bëjmë Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ajo duhet të lirohet sa më parë. Dhe unë besoj që nesër para orës 12 ajo nuk do të jetë më këtu.

Pikërisht. Prandaj po hetojmë dhe do vëmë në dijeni Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, qoftë për prokurorët ose gjyqtarët, nëse ata kanë qenë në shkelje. Unë nuk dua të nxitohem në konstatime paraprake. Ka dy amnisti penale ndaj të cilave mund të kishte përfituar zonja, e vitit 2024 dhe e vitit 2025. Ka argumente të cilat mund ta shpjegojnë pse ajo nuk ka përfituar nga këto amnisti, qoftë për shkak të veprës penale që është dhuna në familje, qoftë për shkak të një interpretimi që gjykata ka bërë ku e ka trajtuar zonjën si person që i është larguar drejtësisë.

Ne nuk duam të hyjmë në vendimin gjyqësor sepse ajo është kompetencë e gjykatës dhe apelohet në një gjykatë më të lartë, por ka disa pikëpyetje. Pikëpyetja e parë është nëse vendimi ka dalë në datë 13 maj, pse ka marrë formë të prerë mbas 49 ditësh?

Ndërkohë që do duhej të kishte marrë formë të prerë brenda dy javësh. Dhe nëse do të kishte marrë formë të prerë brenda dy javësh, do të ishte brenda afatit të amnistisë së vitit 2024. Pse nuk është përfshirë në amnistinë e vitit 2024? Pra ka disa pyetje për të cilat ne, para se të flasim dhe të japim një konstatim, jemi duke hetuar. Por ka pikëpyetje. Dhe në vlerësimin tonë, ajo nënë nuk duhet të ishte sot këtu. Është këtu mbase për shkak të neglizhencës, por ndoshta për shkak sepse askush nuk ka ndaluar për të parë që mbas letrave ka një nënë dhe një fëmijë në gji që nuk duhet të ishte në burg.

Dhe kjo tregon dhe burokracinë shtetërore, që shpesh shikohen letrat, kalohet nga një procedurë në tjetrën, nga një letër në tjetrën dhe askush nuk ndalon për të pyetur: ky person që do ta vuajë këtë dënim, kush është? Në cilat rrethana është? Sepse rrethanat në të cilat është zonja, edhe sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, për veprën për të cilën akuzohet, në rrethanat ku është, nuk duhet të ishte bashkë me foshnjën e saj në burg.

Në intervistën që ne i bëmë nuk pati asnjë pretendim të tillë, nuk e di nëse ka pasur ankesë. Të paktën tek Avokati i Popullit nuk i është ankuar për këtë çështje. Por është domethënës fakti që zonja ka kaluar kufirin, ka ardhur në Tiranë pa u ndaluar nga policia, që do të thotë nuk kemi të bëjmë me një person që ka qenë në kërkim. Prandaj them që ka disa pikëpyetje edhe për vendimin dhe për urdhrin e ekzekutimit.

Nga pretendimet e zonjës, është njoftuar kur ka qenë në Gjermani që duhet të paraqitet në komisariatin e policisë, ka ardhur vullnetarisht dhe është paraqitur në Komisariatin numër 6 vullnetarisht. Këtë po e verifikojmë, kemi një grup inspektimi të Avokatit të Popullit që aktualisht ka përfunduar inspektimin në Komisariatin numër 6 dhe është tek Blloku i Sigurisë.

Por nëse këto pretendime qëndrojnë, të cilat zonja i ka dhe ne po i verifikojmë, nuk jemi përpara një personi që ka qenë në kërkim apo që ka treguar shenja që i është larguar drejtësisë. Megjithatë thashë, nuk dua të interpretoj vendimet e gjykatës, për këtë është një gjykatë më e lartë, është gjykata e apelit. Ama ka disa standarde që janë pikërisht aty për t’u zbatuar si nga prokurorët, nga punonjësit e policisë, nga oficerët e policisë gjyqësore dhe nga gjyqtarët.

Ky është koment politik, që unë do të doja ta shmang për shkak të detyrës që mbaj. Për mua, të drejtat e zonjës janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe prandaj kam ardhur sot këtu, prandaj kam dy komisionerët me vete, për t’u garantuar që të drejtat e saj të respektohen. Kemi dyshimet tona që këtu jemi përpara një, në rastin më të mirë, të një neglizhence të punës.

Siç thashë, ndodh shpesh burokracia, shikojnë letrat, kalon nga njëra zyrë në tjetrën, nga një tavolinë në tjetrën dhe askush nuk ndalon për të parë interesin më të lartë të fëmijës i cili, nëse do të ishte parë, zonja nuk do të ishte këtu me foshnjën e saj për veprën për të cilën akuzohet. Është dënuar në fakt, por ende nesër ka një kërkesë për rishqyrtim të të drejtës së ankimimit në gjykatën e apelit.

Në bindjen time, zonja nesër para orës 12 do të jetë e lirë. Ne do ta ndjekim në çdo rrethanë dhe aty ku do të konstatojmë që është shkelur ligji, është abuzuar me procedurën, do të kërkojmë nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë marrjen e masave dhe pastaj respektivisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë apo Këshilli i Lartë Gjyqësor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër