Shkup, 14 dhjetor – Vendimi i qeverisë për ti propozuar Kuvendit shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Koceski, ka shkaktuar debate nëse procedura është apolitike dhe nuk shkakton ndërhyrje në prokurori. Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se largimi i Koceskit nuk është vetëm proces formal por paraqitet si ndërhyrje në organet e ndjekjes penale, të cilat sipas tij duhet të kenë stabilitet funksional si bazament i një shteti të pavarur. Në vend të respektimit të kontrollit të balancës mes pushteteve, ne shohim tendenca të rrezikshme për ti centralizuar ato, thotë Selmani.
“Ne e shohim të kundërtën. Ato po përpiqen të vënë nën kontroll politik organin prokurorial i cili është shumë domethënës për forcimin e shtetit dhe së drejtës, për luftimin e krimit dhe korrupsionit të cilat aktualisht nuk po luftohen ashtu siç është gjendja faktike. Kjo qasje bie në kundërshtim të hapur me pavarësinë prokuroriale e cila është një nga themelet e shtetit dhe së drejtës. Fatkeqësisht ky nuk është rast i izoluar. Çdo qeveri paraprake ka bërë të njëjtën gjë dhe edhe kjo qeveri nuk do largohet nga mentaliteti apo mendësia e vjetër e ndërhyrjes politike në institucione që detyrimisht duhet të jenë të pavarura.”, u shpreh për TVM2 profesori universitar Bashkim Selmani.
Pavarësia institucionale, sipas Selmanit identifikohet me luftë të ashpër ndaj krimit dhe korrupsionit, që nuk është rasti me drejtësinë në vend. Ndërkohë ekziston rreziku edhe për kapje të institucioneve të tjera.
“Të gjithë prokurorët në të kaluarën por edhe tash siç duket kanë mbrojtur interesat e individëve apo të subjekteve të caktuara. Pra, pavarësia e prokurorisë detyrimisht duhet të jetë autoritative, por dhe të shkaktoj frikë dhe panik edhe ndaj qeverisë dhe kryeministrave. Kushdo që pretendon të keqpërdor detyrën zyrtare duhet të japë llogari. Fatkeqësisht i tërë kapitali shtetëror i Maqedonisë së Veriut nga pavarësia deri në ditët e sotme kryekëput është në duart e maqedonasve dhe thoni që është hapur një lëndë për keqpërdorim të kapitalit publik.”, tha Selmani për TVM2.
Opozita maqedonase vlerëson se procedura ka prapavijë politike, ndërkaq pushteti thotë se shkrimi i Koceskit është i drejtë pasi ka shkelur procedurat profesionale duke dhënë informacione për lëndë të caktuara. Koveski është në prag të shkarkimit, pasi nisma ka mbërritur në Kuvend.

