Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi me burgim ish-kryetarin e bashkisë Memaliaj, Gjolek Gucin si dhe Edmonda Harizin, ish-nënkryetare e bashkisë Memaliaj, të akuzuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri, të cilët vendosën deklarimin fajtor të të dy të pandehurve.
Gjolek Guci u dënua fillimisht me 2 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu reduktua dhe përfundimisht u caktua në 1 vit e 4 muaj burgim.
Ndërsa ish-nënkryetarja e bashkisë, Edmonda Harizi u dënua fillimisht me 1 vit burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj u reduktua në 8 muaj burgim.
Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të dy të dënuarit për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

