Shqipëri vs Europë, ku u rritën më shumë çmimet? Nga 0.3% në Suedi te 8.2% në Rumani, Shqipëria ndalet në 3.4%

Nga Xh M
441 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 gusht Zhurnal.mk – Rritja e çmimeve në Shqipëri u përshpejtua gjatë korrikut, duke e çuar inflacionin mbi mesataren e Bashkimit Europian. Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni vjetor arriti në 3.4%, nga 3.2% në qershor, ndërsa mesatarja e BE-së u regjistrua në 3%.

Me këtë nivel, Shqipëria rezulton 0.4 pikë përqindje mbi mesataren europiane dhe renditet mbi disa prej ekonomive më të mëdha të kontinentit. Gjermania regjistroi inflacion prej 2.8%, Italia 2.9% dhe Franca 2.4%. Spanja, nga ana tjetër, kishte një normë më të lartë se Shqipëria, me 3.9%.

Rritja më e fortë e çmimeve u regjistrua në Rumani, me 8.2%, e ndjekur nga Kosova me 6.5%, Islanda me 5.6%, Lituania me 5.4% dhe Gjeorgjia me 5.2%. Nivele relativisht të larta u shënuan edhe në Bullgari dhe Qipro, ku inflacioni ishte 4.4%.

Në skajin tjetër të renditjes, presionet mbi çmimet mbeten shumë më të ulëta. Suedia regjistroi inflacion prej vetëm 0.3%, Zvicra 0.7% dhe Çekia 1.3%, ndërsa në Danimarkë dhe Hungari norma ishte 1.6%.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria kishte inflacion më të ulët se Kosova, Mali i Zi me 3.9% dhe Kroacia me 3.6%, por më të lartë se Maqedonia e Veriut me 2.4% dhe Serbia me 2.2%. Edhe Greqia, me një normë prej 2.7%, rezultoi poshtë nivelit të Shqipërisë.

Të dhënat e korrikut tregojnë se rritja e çmimeve në Shqipëri vijon të mbetet më e fortë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndonëse diferenca është e kufizuar. Në të njëjtën kohë, hendeku mes vendeve europiane mbetet i madh, me norma që variojnë nga 0.3% në Suedi deri në 8.2% në Rumani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër