Bratisllavë, 2 qershor Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova zhvilloi sot në Bratislavë një takim kokë më kokë me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Republikës së Sllovakisë, Richard Raši.
Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan përcaktimin e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve.
Ata e konsiderojnë diplomacinë parlamentare si një mekanizëm thelbësor për shkëmbimin e përvojave, ndërtimin e besimit dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Duke iu referuar përvojës së saj si deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e parlamenteve si “shkolla të demokracisë” dhe institucione që sigurojnë vazhdimësi, llogaridhënie dhe lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët, si burim i legjitimitetit të tyre.
Presidentja përshëndeti rolin historik të Institutit Parlamentar të Sllovakisë, i cili së bashku me partnerin çek ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në themelimin dhe trajnimin e Institutit Parlamentar në kuadër të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Raši rikonfirmoi mbështetjen sllovake për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të mbetet një proces i bazuar në merita, ku vlejnë të njëjtat rregulla për të gjitha vendet kandidate.
Siljanovska-Davkova theksoi se vendi është teknikisht i gatshëm për hapjen e negociatave dhe se pret një proces që do të jetë kredibil, i parashikueshëm dhe i liruar nga ngarkesat dypalëshe.
Bashkëbiseduesit konstatuan se marrëdhëniet maqedono-sllovake po zhvillohen me dinamikë pozitive, pa çështje të hapura dhe me bashkëpunim në rritje në shumë fusha.
