Sistemi pensional nuk mund t’i paguajë vetë pensionet, shteti duhet të mbulojë më shumë se një të tretën e buxhetit

Nga D. V.
483 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Sistemi pensional nuk mund t’i paguajë vetë pensionet – shteti duhet të mbulojë më shumë se një të tretën e buxhetit të PIOM-it, ndërsa janë konstatuar edhe borxhe milionëshe, vonesa në pagesa, pasuri të pa evidentuar dhe dobësi në prokurimet publike. Kjo është pasqyra që e tregon auditimi më i ri i punës së Fondit të Pensioneve dhe Sigurimit Invalidor për vitin 2024. Veçanërisht shqetësues është fakti se deri në fund të shkurtit të këtij viti PIOM kishte borxh prej 136,4 milionë euro për sigurimin shëndetësor të pensionistëve, ndërsa ndaj fondeve private të pensioneve kishin mbetur të pa shpërndara kontribute në vlerë prej 42,2 milionë euro.

Për shkak të gjendjes së konstatuar, Drejtoria e Auditimit të Shtetit ka dhënë mendim negativ si për raportet financiare, ashtu edhe për përputhshmërinë e punës me ligjet.

“Me auditimin e kryer për vitin 2024 është shprehur mendim negativ për paraqitjen e vërtetë dhe objektive të gjendjes financiare dhe rezultateve të aktiviteteve financiare, si dhe për përputhshmërinë e transaksioneve financiare me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura,” theksojnë auditorët.

Edhe pse të ardhurat nga kontributet për sigurimin pensional dhe invalidor vitin e kaluar u rritën për 14% dhe arritën në 71,4 miliardë denarë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për pensione, të cilat kapën mbi 90,2 miliardë denarë.

Për këtë arsye, shteti sërish ka ndërhyrë me transfere buxhetore të konsiderueshme. Në vitin 2024 ato morën pjesë me 36,71% në të ardhurat totale të Fondit, që është rritje prej 4,14% krahasuar me vitin paraprak.

Auditimi tregon edhe përkeqësim të raportit mes të punësuarve dhe pensionistëve. Në fund të vitit 2024 ishin evidentuar 556.294 të siguruar dhe 343.048 pensionistë. Kjo do të thotë se për një pensionist ka vetëm 1,63 të siguruar, ndërsa një vit më parë raporti ishte 1 me 1,70.

Auditorët kanë konstatuar probleme serioze edhe me transferimin e kontributeve drejt shtyllës së dytë pensionale. Edhe pse PIOM i përgatit me kohë llogaritjet dhe i dorëzon te ministria përkatëse, mjetet nuk janë transferuar në kohë.

“Në vitin 2024 vonesa ishte mesatarisht rreth dy muaj. Deri më 27.02.2026 është konstatuar borxh prej 2.592.918 mijë denarësh për kontribute të pa shpërndara ndaj shoqërive private pensionale,” thuhet në raport.

Edhe më i madh është borxhi ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Sipas raportit të auditimit, PIOM nuk i ka paguar me kohë kontributet për sigurimin shëndetësor të pensionistëve, edhe pse kjo është detyrim ligjor.

“Në vitin 2024 dhe 2025 pagesat janë kryer me vonesa prej disa muajsh, ndërsa deri më 28.02.2026 kontributet paguhen me vonesë prej tetë muajsh. Detyrimi i papaguar për periudhën qershor 2025 – janar 2026 arrin në 8.415.865 mijë denarë, pra 136.400.000 euro. Kjo gjendje u mundëson pensionistëve të përdorin shërbime shëndetësore pa kontribute të paguara me kohë, gjë që ndikon negativisht edhe në likuiditetin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor,” theksohet në raport.

Auditimi ka zbuluar edhe dobësi të shumta administrative dhe kontabël: pasuri të luajtshme e të paluajtshme të pa evidentuar të fituar përmes procedurave të falimentimit; inventar jo të plotë të tokës dhe mungesë të evidencës së plotë kontabël; inventar të pjesshëm të kërkesave pa bazë ligjore dhe pa verifikim të afatit; mungesë të të dhënave të plota për mjetet e transferuara nga buxheti mbi bazën e akcizave; dobësi në dhënien me qira të hapësirave afariste; mjete monetare të pa shfrytëzuara në llogarinë e kontributeve në fund të vitit; dobësi në prokurimet publike; parregullsi në ndarjen dhe përdorimin e banesave në shtëpitë e pensionistëve.

Për më tepër, auditorët paralajmërojnë se Fondi prej kohësh përballet me mungesë të stafit profesional, veçanërisht në njësitë rajonale, sektorin IT dhe auditimin e brendshëm.

Për shkak të të gjitha dobësive të konstatuara, Drejtoria e Auditimit të Shtetit ka dhënë një sërë rekomandimesh për tejkalimin e gjendjes, të cilat institucionet kompetente kanë detyrim t’i zbatojnë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër