SPAK dërgon për gjykim tre ish-punonjës policie

Nga D. V.
409 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 maj, Zhurnal.mk – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin Erdit Hazizajn, Shkëlzen Ruskan, Ervis Alisinanajn, të cilët akuzohen për lidhje me grupe të strukturuara kriminale, trafikim dhe kultivim të lëndëve narkotike si dhe shpërdorim detyre.

Sipas SPAK, “nga hetimet e kryera rezulton se gjatë viteve 2019-2021, në zonën e Sarandës ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike. Drejtuesi dhe organizatorët e këtij grupi dyshohet se janë shtetasit nën hetim, K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A). Anëtarët e këtij grupi kishin detyra të përcaktuara për sigurimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë”.

“Hetimet kanë dokumentuar rastin e trafikimit, më 7.3.2020 përmes pikës së kalimit kufitar në Qafë Botë, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro. Kjo sasi u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”, bëri të ditur SPAK.

SPAK thekson se “kur anëtarë të grupit arrestoheshin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, anëtarët e tjerë interesoheshin për ndihmën ekonomike të personave të arrestuar dhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore. Sipas hetimeve, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal.

“I tillë është rasti i Erdit Hazizaj, në atë kohë mbante detyrën e specialistit në Sektorin e Hetimit në Mbulim, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, i cili i ndihmonte drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për zhvillimin e aktivitetit të kundraligjshëm”.

SPAK njofton më tej se “gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër, ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, nën drejtimin e shtetasit nën hetim, L.B (alias E.S), ndërsa pjesëtarët e grupit kishin detyra të ndara për kultivimin e bimës narkotike në zonën Tepelenë – Gjirokastër. Hetimet kanë dokumentuar rastin e datës 1.10.2020, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari (Tepelenë), ku Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër zbuloi dhe sekuestroi 1360 bimë narkotike, me gjatësi 30-120 cm, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 kg. Sasia e bimëve narkotike ishte kultivuar nga ky grup kriminal.

“Drejtuesi i tij kishte krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore edhe me punonjës në Policinë e Shtetit, në rastin konkret, me të pandehurin Shkëlzen Ruska, i cili asokohe mbante detyrën e specialistit në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundraligjshëm”.

Sipas, SPAK “nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundraligjshme.

“Këto veprime, bazuar në hetimet e kryera, kanë sjellë pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit si dhe kanë cenuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut dhe kanë dëmtuar ushtrimin e misionit të saj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër