Një udhëtim i zakonshëm në Stamboll është kthyer në një “ring boksi”, pasi dy persona vendosën të zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre me grushte – dhe jo vetëm, në pjesën e pasme të një kamionçine në lëvizje.
Ngjarja ndodhi në autostradën D-100, në zonën e Tuzlas, Stamboll, ku dy protagonistët duket se harruan se nuk ndodheshin në ring, por në një automjet që po lëvizte mes trafikut.
Përleshja vazhdoi me shtyrje dhe grushte, ndërsa të dy përpiqeshin të mos përfundonin në asfalt.
Me sa duket, përveç kundërshtarit, ata duhej të mposhtnin edhe sfidën për të qëndruar në këmbë.
Shoferët e tjerë, në vend që të shihnin vetëm rrugën, patën mundësinë të ndiqnin edhe këtë “ndeshje boksi në lëvizje”, e cila u filmua me telefona celularë.
Nuk dihet se çfarë e shkaktoi sherrin, por një gjë është e sigurt: dyshja zgjodhi një vend ku humbja e ekuilibrit mund të kushtonte shumë më tepër sesa humbja e një dueli.
