Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë mbajtur një grevë si reagim ndaj veprimeve të disa nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, sharjet dhe ofendimet ndaj mësimdhënësve, e ku kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren veprime institucionale, atëherë do të përshkallëzohet situata dhe do të ndërprenë procesin mësimor, raporton Ekonomia Online.
Kjo grevë erdhi pas një videoje ku shihet mësimdhënësi teksa rrah një nxënës në këtë shkollë, por që sipas versionit të kolektivit të mësimdhënësit i cili është ndaluar për 48 orë, aty është prerë vetëm pjesa në fund dhe se nuk është paraqitur e gjithë ngjarja.
Përfaqësuesi nga shoqata sindikale e shkollës, Ardit Ukaj tha se dhuna nuk ka vend në shkolla e ku ka kërkuar mbrojte për mësimdhënësit.
“Dua të theksojmë qartë se ne si shoqatë sindikale jemi kundër çdo lloj të dhunës, qoftë fizike apo verbale. Nuk ka vend në shkollë, dhe nuk mund të arsyetohet nga askush. Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën dhe as për të mbrojtur atë. Përkundrazi ajo është një reagim kundër dhunës që po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor. Qëllimi ynë është të mbrojnë një ambient të sigurt dhe profesional ku mësimi zhvillohet normalisht dhe ku autoriteti i mësimdhënësit nuk vihet në pikëpyetje përmes fyerjeve, ofendimeve, sharjeve dhe nënçmimit. Kërkojmë qasje serioze dhe të koordinuar institucionale kundër këtij fenomeni sepse sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat ekzistues disiplinor nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur nxënësi fyen apo sulmon mësimdhënësin fizikisht. Kjo situatë krijojnë ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbrojtje për stafin arsimor. ky nuk është problem i izoluar vetëm në shkollën tonë, por fenomen që po shqetëson dhe shkollat e tjera. Prandaj, kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimit e rendit në institucione arsimore”, tha ai.
Ai teksa tha se orët e humbura për shkak të grevës nuk zëvendësohet, theksoi se nuk kërkojmë ndërrimin e shkollës për nxënësin por vetëm të ndërmerren masa.
“Nuk po kërkojë ndërrimin e shkollës për nxënësin, por të merren masat e duhura nga personat kompetent dhe rasti të trajtohet në mënyrë të duhur sipas legjislacionit por edhe të bëhet një rishikim i legjislacionit që legjislacioni t’i përshtatet vendit ku jemi”, tha ai.

