Londër, 4 maj, Zhurnal.mk – Përfshirja e Londrës në iniciativën e BE-së për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën do të forcojë marrëdhëniet BM-BE, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer duke shtuar se do të ishte “shumë e mirë” për marrëdhëniet BM-BE dhe për krijimin e vendeve të punës në Britaninë e Madhe.
Starmer pritet të shpallë ofertën e Britanisë së Madhe për t’u bashkuar me këtë iniciativë në një takim të liderëve evropianë sot në kryeqytetin armen Jerevan.
“Përsa i përket huasë së BE-së për të cilën po diskutojmë pjesëmarrjen, ajo është shumë e mirë për Ukrainën, sepse do t’i japë Ukrainës kapacitetin që i nevojitet dëshpërimisht në vitin e pestë të këtij konflikti”, tha Starmer duke folur për mediat gjatë mbërritjes në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC).
“Kjo nismë është shumë e mirë për BM-në – për shkak të kapacitetit që sjell dhe vendeve të punës në Britani të Madhe.”
“Dhe është shumë e mirë për marrëdhëniet BM-BE, gjë që është shumë e rëndësishme ndërsa vazhdojmë me diskutimet e ndryshme”, shtoi ai.
Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron bashkëkryesuan një takim për Ukrainën.
Në të morën pjesë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Donald Tusk i Polonisë, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre, shefi i NATO-s Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shefja e diplomacisë së BE-së Kaja Kallas dhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Gjithashtu mori pjesë edhe kryeministri kanadez Mark Carney, lideri i parë i një vendi jo-evropian që merr pjesë në EPC.
Starmer pritet t’u drejtohet aleatëve se BM-ja dëshiron të bashkëpunojë më ngushtë për të siguruar që Kievi të marrë pajisjet ushtarake që i nevojiten për të vazhduar luftën kundër Rusisë.
Britani e Madhe gjithashtu do të vendosë sanksione të reja ndaj kompanive ruse më vonë gjatë javës, me qëllim prishjen e zinxhirëve të furnizimit ushtarak, sipas “Downing Street”.
Pjesëmarrja në këtë skemë huaje mund të krijojë mundësi për kompanitë britanike të mbrojtjes për të konkurruar për kontrata.
Kjo iniciativë – e miratuar së fundmi nga BE-ja pasi dështimi i mëparshëm u zgjidh pas zgjedhjeve në Hungari dhe heqjes së bllokadës nga Viktor Orbán – është pjesë e “rifillimit” të marrëdhënieve të Starmer me BE-në.
Para samitit EPC, Starmer bëri thirrje që BM-ja dhe BE-ja të “shkojnë më tej dhe më shpejt” në bashkëpunimin e mbrojtjes.
