Shkup, 26 mars – Iniciativa qytetare “Stop Usje” ka dorëzuar në Ministrinë e Ambientit propozimin e tyre për leje të integruar për fabrikën e çimentos “Titan Usje”, ku thonë se modelin e kanë përgatitur sipas standardeve evropiane dhe mendimeve të marra nga OBSh-ja.
Shtojnë se më 11 mars, kërkesë për leje ka dorëzuar edhe fabrika në fjalë dhe kërkojnë nga ministria që në debat publik të marrin pjesë edhe qytetarët dhe organizatat civile.
“Titan Usje” më 11 mars ka dorëzuar në Ministrinë e Ambientit Jetësor kërkesën për leje të re A të integruar. Ministria momentalisht ka qasje në leje, e cila do të zgjasë nga 40 -50 ditë, ndërkaq më pas me detyrim ligjor, Ministria është e obliguar të organizojë debat publik, ku do të marrim pjesë edhe ne qytetarët. Ne si “Stop për Usjen” jemi këtu që t’ia dorëzojmë Ministrisë lejen A të integruar, të punuar sipas të gjitha rregullativave evropiane për industrinë e çimentos, si dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për limitet kufitare të ndotjes së ajrit. Këtë leje e kanë përgatitur qytetarët, eko-aktivistët, dhe ekspertë të mjedisit jetësor, me qëllim që “Titan Usje” përfundimisht të fillojë të punojë si fabrikë çimentoje ekologjike në shekullin 21.”, – thanë nga Iniciativa Qytetare “Stop Usje”.
Nga kjo iniciativë kërkojnë që resori i ambientit të rreshtohet pas qytetarëve dhe jo pas profitit të fabrikës “Titan Usje”. Simbolikën e dorëzimit të kësaj leje të integruar, aktivistët e shoqëruan me një vrap nga fabrika USJE deri para Ministrisë. Kërkojnë përgjegjësi nga dikasteri në fjalë për cilësinë e ajrit që do të thithin qytetarët në shtatë vitet e ardhshme.
