Strategët ushtarakë takohen për bisedime mbi misionin në Ngushticën e Hormuzit

Nga D. V.
352 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 22 prill, Zhurnal.mk – Ekspertë të planifikimit ushtarak nga vendet që synojnë t’i bashkohen misionit të udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca, për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, pas përfundimit të luftës me Iranin do të takohen sot në Londër.

Rreth një e pesta e naftës botërore kalon përmes kësaj ngushtice dhe mbyllja efektive e saj nga Irani, pas fillimit të fushatës së bombardimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurt, ka shkaktuar një tronditje globale ekonomike dhe ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë.

Më shumë se 30 vende pritet të dërgojnë ekspertë të planifikimit ushtarak në konferencën dyditore – që nis sot dhe bashkë-organizohet nga Britania e Madhe dhe Franca në selinë e Përhershme të Komandës së Përbashkët të Britanisë së Madhe në Northwood, në veri të Londrës.

Qëllimi i tyre është të ndërtojnë një mision të përbashkët mbrojtës pasi të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme armëpushimi – pas bisedimeve të zhvilluara, javën e kaluar në Paris, mes kryeministrit britanik, Keir Starmer dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Misioni synon të mbrojë anijet tregtare, të sigurojë operatorët e transportit detar dhe të kryejë operacione për pastrimin e minave detare.

Bisedimet në Londër do të përqendrohen në kapacitetet ushtarake, strukturat e komandës dhe kontrollit, si dhe mënyrën e dislokimit të forcave në rajon.

“Detyra jonë sot dhe nesër është të përkthejmë konsensusin diplomatik në një plan të përbashkët për të garantuar lirinë e lundrimit në ngushticë dhe për të mbështetur një armëpushim të qëndrueshëm”, tha sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.

Ai shtoi se është i bindur që gjatë dy ditëve të ardhshme mund të arrihet progres real.

“Tregtia ndërkombëtare, siguria energjetike dhe stabiliteti i ekonomisë globale varen nga liria e lundrimit. Duke forcuar bashkëpunimin shumëpalësh dhe duke planifikuar veprime kolektive efektive, mund të ndihmojmë në rihapjen e ngushticës, stabilizimin e ekonomisë globale dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë”, theksoi ai.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër