Sulmi ndaj Komisariatit nr. 3, Demo: Është kaluar vija e kuqe, dhuna nuk mund të jetë mjet negocimi

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dënoi sulmin ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, gjatë të cilit mbetën të lënduar disa punonjës policie, duke e cilësuar ngjarjen si një përshkallëzim të papranueshëm të dhunës gjatë protestave të gjashtë ditëve të fundit.

Ai theksoi se dhuna nuk mund të përdoret si mjet negocimi dhe se Policia e Shtetit ka mbështetjen e plotë të qeverisë në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe të drejtës kushtetuese për tubime paqësore.

Gjatë një takimi të zhvilluar së bashku me Kryeministrin Edi Rama me zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ministri Demo bëri të ditur se gjatë gjashtë ditëve të protestave janë lënduar 295 persona, nga të cilët 186 punonjës policie.

Sipas tij, mes të lënduarve ka edhe protestues, kalimtarë dhe gazetarë, ndërsa raporti i efektivëve të dëmtuar dëshmon profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit përballë akteve të dhunshme.

Duke iu referuar sulmit ndaj Komisariatit nr. 3, ku disa efektivë pësuan lëndime, përfshirë djegie në trup, ministri theksoi se ngjarja ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm.

“Dje, Komisariati nr. 3 është sulmuar nga protestues. Jo thjesht komisariati si godinë, por edhe punonjës të Policisë së Shtetit që kanë qenë aty, në perimetrin e komisariatit dhe brenda tij, janë dëmtuar deri me djegie të trupit të tyre, duke mbrojtur godinën e Policisë së Shtetit. Kjo është jo vetëm e papranueshme, por tregon faktin që elementët e dhunës, të cilët janë përfshirë në këtë protestë, kanë arritur në nivele të cilat tregojnë qartazi që kjo nuk është më as protestë studentore. Në fakt, nuk mund të quhet më as protestë”, deklaroi ministri Demo.

Ministri u ndal gjithashtu te sulmet ndaj bizneseve private, institucioneve publike dhe subjekteve politike, duke theksuar se elementët e dhunshëm kanë tejkaluar çdo kufi në veprimet e tyre. Sipas tij, mbështetja që këta elementë kanë gjetur në një forcë politike tregon edhe motivimin e dhunës gjatë protestave.

“Kemi parë po ashtu që elementë të dhunshëm të asaj proteste kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar. Kjo tregon më së miri edhe motivimin e elementëve të dhunës që janë brenda kësaj lëvizjeje”, u shpreh ministri.

Ministri Demo bëri thirrje për një qëndrim të qartë të forcave politike dhe shoqërisë civile kundër dhunës, duke nënvizuar se e drejta për të protestuar duhet të garantohet, por nuk mund të shërbejë si justifikim për sulmet ndaj qytetarëve, punonjësve të policisë apo institucioneve. Ai solli si shembull vendet që po përjetojnë protesta të ngjashme, ku, sipas tij, shoqëria dhe forcat politike janë pozicionuar qartazi kundër akteve të dhunshme.

“Fatkeqësisht, ajo çfarë mua më bën të ndihem shumë keq për të gjithë punonjësit e Policisë, të cilët kanë duruar dhunë barbare gjatë këtyre ditëve, është që ne sot, pas gjashtë ditësh, nuk kemi që forcat politike apo qoftë edhe shoqëria civile të dalin dhe të mbajnë qëndrim për sa i përket dhunës që ndodh në kryeqytet”, deklaroi ai.

Ministri ritheksoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për dialog, duke nënvizuar se dhuna nuk mund të pranohet në një shoqëri demokratike.

“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Dhuna nuk është mjet negocimi. Qeveria shqiptare, Kryeministri e ka bërë të qartë që me këdo dhe kurdo, ne, qeveria, jemi të gatshëm të flasim, por ajo çfarë ne duhet të ndajmë pikësëpari është se dhuna nuk mund të pranohet nga askush. Dhuna nuk mund të jetë një mjet negocimi”, theksoi ai.

Në përfundim, ministri Demo falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për sakrificën, profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e treguar gjatë protestave, duke garantuar mbështetjen maksimale të qeverisë për ta.

“Ju nuk jeni vetëm. Do të keni mbështetjen tonë maksimale dhe e keni, sepse këtu jemi për të mbrojtur atë çfarë është më e shenjtë, që është demokracia shqiptare”, përfundoi ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër