Prishtinë, 25 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar situatën politike dhe institucionale në vend, duke thënë se Kosova ka nevojë për qëndrueshmëri politike dhe mbështetje serioze institucionale, ndërsa ka vlerësuar se nuk ka seriozitet dhe vullnet politik për zgjedhjen e presidentit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka shtuar se Aleanca do të përkrah rezolutën e PDK-së.
Tahiri ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë mbetur rreth 10 ditë deri në afatin për vendimin lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.
“Mandatet e deputetëve na u kanë marrë, na u kanë marrë për disa muaj, për shkak se u pa edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese po në anën tjetër e kemi pa që kemi një afat shumë të shkurtër, na kanë mbetur edhe 10 ditë deri tek vendimi për president respektivesht për të shkuar apo mos shkuar në zgjedhje. Kosova ka nevojë për qëndrueshmëri politike e më së shumti ka nevojë, ata burra që janë në hall, për mbështetje serioze institucionale e shtetërore”, tha ai.
Tahiri ka kritikuar mungesën, siç tha ai, seriozitetit dhe vullnetit politik për zgjedhjen e presidentit, duke kundërshtuar mundësinë që vendi të shkojë vazhdimisht në zgjedhje.
“Nuk ka seriozitet, ju them me përgjegjësi të plotë. Sot në Kosovë nuk ka as seriozitet, as nivel përgjegjësisë, e as vullnet politik me bo një president. Se po të kishte, as kryeministri, e as liderët e partisë nuk kishin flejt tu u mundu me ia dhënë Kosovës një zgjidhje. Mos më bo gaz, mos më bo hor me shkue çdo 3 muj në zgjedhje. Po fakti që një kryetar i partisë që është edhe kryeministër, një javë ne New York, fakti që Kuvendi i Kosovës nuk mbledhet për 9 ditë. Fakti që sot është dashur kaq gjatë me fol e me diskutue për me ardhë deri te një qëndrim për të hënën, tregon papërgjegjësi totale. Aleanca nuk bëhet pjesë e papërgjegjësive, as i debatit jo serioz”, tha ai.
