Takim Ahmeti-Varnes, diskutohet për marrëdhëniet ndëretnike dhe sfidat globale

Nga Xh M
783 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 qershor Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim me Ushtruesen e Detyrës së Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Nicole Varnes.

Përmes një njoftimi publik, Ahmeti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për një sërë çështjesh me interes të përbashkët, duke vënë theks të veçantë te sundimi i ligjit, ruajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe zhvillimet aktuale që lidhen me paqen dhe stabilitetin global.

“Gjatë takimit zhvilluam një bisedë të hapur dhe konstruktive për çështje me interes të përbashkët, me theks të veçantë mbi sundimin e ligjit, rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira ndëretnike, si dhe zhvillimet aktuale që lidhen me paqen dhe stabilitetin global”, ka theksuar Ahmeti.

Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin vendit në proceset demokratike dhe integruese.

“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vlerave demokratike, integrimit euroatlantik dhe perspektivës së vendit tonë”, thuhet në njoftim.

Ahmeti ka vlerësuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të thellohet edhe më tej në funksion të forcimit të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.

“Jam i bindur se partneriteti ynë do të vazhdojë të forcohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Ahmeti pas takimit me diplomaten amerikane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër