Tiranë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt, u takua me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në kuadër të marrëdhënieve mbi 100-vjeçare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada amerikane e cilësoi takimin si një mundësi për të vlerësuar partneritetin mes dy vendeve dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen.
“Që nga mbështetja e Presidentit Wilson për një Shqipëri të pavarur, te bashkëpunimi ynë i sotëm si aleatë të NATO-s, ne vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin në tregti, sigurinë energjetike dhe lidhjet mes njerëzve”, thuhet në postimin e ambasadës.
Sipas ambasadës, ky bashkëpunim synon të kontribuojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
