Të enjten, më 15 tetor, në Tetovë nis edicioni jubilar i 30-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili do të mbahet deri më 18 tetor. Programi i festivalit dhe emri i laureatit të sivjetmë u prezantuan sot në një konferencë për media nga drejtori i festivalit, Shaip Emërllahu dhe anëtari i Drejtorisë, Xhelal Zejneli, shkruan Portalb.mk.
Ky edicion shënon dy përvjetorë të rëndësishëm, 30-vjetorin e themelimit të festivalit dhe 180-vjetorin e lindjes së poetit të madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri. Gjatë tri dekadave, “Ditët e Naimit” është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm të poetëve nga vende të ndryshme të botës, duke promovuar poezinë, dialogun ndërkulturor dhe vlerat universale të letërsisë.
Në edicionin jubilar do të marrin pjesë poetë dhe krijues nga vende të ndryshme të botës, mes të cilëve Ion Deaconescu nga Rumania, Eli Rosa Zamora nga Venezuela dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Giuseppe Napolitano nga Italia, Pierre Ech-Ardour nga Franca, Angela Valenti Durazzo nga Monako, Vanesa Fens nga Meksika, Brunhilde Román Ibáñez nga Spanja, Sevgi Suçin dhe Mehmet Hakkı Suçin nga Turqia, Teodora Sukareva nga Bullgaria, Dan Gheorghe nga Rumania dhe Anxhelka Korçulaniq nga Kroacia.
Në festival do të marrin pjesë edhe Flutura Açka dhe Arjan Kallço nga Shqipëria, Donika Dabishevci dhe Ndue Ukaj nga Kosova, Haxhi Shabani nga Mali i Zi, si dhe Puntorie Muça Ziba, Dragana Evtimova, Ana Pejçinova dhe Remzi Salihu nga Maqedonia e Veriut, krahas poetëve dhe krijuesve të tjerë.
Laureat i Çmimit të Madh Letrar “Naim Frashëri” për edicionin jubilar të 30-të është shpallur poeti dhe akademiku rumun Ion Deaconescu. Ai është përzgjedhur nga juria e festivalit, e përbërë nga Ndue Ukaj nga Kosova, në cilësinë e kryetarit, si dhe Haxhi Shabani dhe Xhelal Zejneli, anëtarë.
Në mesazhin drejtuar Drejtorisë së Festivalit pas marrjes së lajmit për laureimin, Deaconescu ka theksuar rëndësinë e një humanizmi të ri dhe përgjegjësinë e njeriut ndaj botës. Duke folur për rolin e poezisë në jetën njerëzore, ai është shprehur se “një nga rrugët më të sigurta drejt lumturisë njerëzore është poetizimi i botës”, duke e lidhur krijimtarinë poetike me nevojën për rikthimin e ekuilibrit në Univers. Sipas tij, poezia është një urë lidhëse ndërmjet popujve dhe një gjuhë e përbashkët që kapërcen kufijtë dhe vetminë.
Në kuadër të këtij edicioni është botuar edhe Antologjia e Festivalit, e përgatitur dhe redaktuar nga drejtori Shaip Emërllahu.
Programi i festivalit do të nisë të enjten, më 15 tetor, në orën 19:30, përpara Qendrës së Kulturës në Tetovë, ku është paraparë çelja e manifestimit përmes një koreografie fishekzjarresh dhe vendosjes së buqetave me lule te shtatorja e Naim Frashërit, në nderim të 30-vjetorit të festivalit dhe 180-vjetorit të lindjes së poetit.
Hapja zyrtare do të bëhet në orën 20:00, në Sallën e Madhe të Qendrës së Kulturës. Fjalën e hapjes do ta mbajë drejtori i festivalit, Shaip Emërllahu, ndërsa me një fjalë përshëndetëse do të paraqitet kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Më pas do të zhvillohet ora e madhe letrare “Globi poetik”, gjatë së cilës do të dorëzohen çmimet letrare “Naim Frashëri” dhe “Ditët e Naimit”.
Të premten, më 16 tetor, do të mbahet tribuna shkencore me temë “Ditët e Naimit-30 vjet në poezinë botërore”, ku do të trajtohet rrugëtimi tridhjetëvjeçar i festivalit dhe kontributi i tij në promovimin e poezisë. Gjatë pasdites janë paraparë vizita në monumentet kulturore dhe historike të Tetovës, ndërsa në mbrëmje, në Teqenë Arabati Baba, do të zhvillohet ora letrare “Poetë dhe vargje”.
Të shtunën, më 17 tetor, në orët e paradites do të promovohet “Antologjia e Poezisë Bashkëkohore Botërore”, e autorëve Ion Deaconescu dhe Aminur Rahman.
Në mbrëmje, duke filluar nga ora 20:00, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center”, do të mbahet ora letrare “Meridianet e Poezisë”, gjatë së cilës do të shpallen fituesit dhe do të ndahen çmimet e tjera letrare “Menada”, “Oeneumi”, “Qiriu i Naimit” dhe “Silke/Liria”. Me këtë veprimtari do të shënohet edhe mbyllja solemne e edicionit jubilar të festivalit.
Me edicionin e tij të 30-të, ky manifestim letrar vazhdon misionin e promovimit të poezisë shqiptare dhe botërore, bashkëpunimit ndërkulturor dhe ruajtjes së trashëgimisë së Naim Frashërit, duke e afirmuar Tetovën si një pikëtakim të rëndësishëm të poetëve, krijuesve dhe kulturave nga vende të ndryshme të botës.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Tetovës dhe disa mbështetës të tjerë.
