TË MIRAT E HËNËS

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nga: Charles Baudelaire
Përktheu: Roland Çipa

Për zonjushën B[1]

Hëna, personifikimi i tekës, të pa nga dritarja kur ti po flije në djep dhe tha me vete: “Kjo vogëlushe më pëlqen”.

Zbriti ngadalë shkallët prej reje dhe kaloi pa zhurmë përmes xhamave të dritares. Pastaj u shtri mbi ty me butësinë e zhdërvjellët të një nëne dhe vendosi ngjyrat e saj mbi faqet e tua. Sytë e tu mbetën të gjelbër dhe faqet e tua tmerrësisht të zbehta. Duke soditur këtë vizitore, bebet e syve t’u zmadhuan në mënyrë aq të çuditshme. Ajo të shtrëngoi aq butësisht në grykë saqë ty të vjen gjithmonë për të qarë.

Por, duke lënë gëzimin e saj të shpërthente, Hëna e mbushi gjithë dhomën me dritë si një atmosferë fosforike, si një peshk i shndritshëm, dhe e gjithë kjo dritë e gjallë mendonte dhe thoshte: “Ti do të jesh përjetësisht nën ndikimin e të puthurës time. Ti do të jesh e bukur sipas shijes sime. Ti do të duash ata që dua unë dhe ata që më duan: ujin, retë, qetësinë e natës, detin e pafund dhe të kaltër, ujin paformë dhe shumëformësh, vendin ku s’ke qenë, të dashurin që s’e ke njohur, lulet e përbind­shme, parfumet që të lenë pa mend, macet që shtriqen mbi piano dhe që rënkojnë si gratë me një zë të ngjirur dhe të butë!

Të dashurit mi do të të dashurojnë, kurtizanët e mi do të të vijnë rrotull. Ti do të jesh mbretëresha e djemve sygjelbër, e atyre që iu mblodh një lëmsh në grykë gjatë përkëdheljeve të natës, të atyre që duan detin, detin e pafund dhe të zhurmshëm, ujin pa formë dhe shumëformësh, vendin ku s’kanë qenë, femrën që s’e kanë njohur, lulet e kobshme që ngjajnë me kemtaret e një feje të panjohur, parfumet që turbullojnë vull­netin dhe kafshët e egra epshndjellëse, që janë simbol i çmendu­risë së tyre”.

Prandaj jam shtrirë tani te këmbët e tua, vogëlushja ime e llastuar, për të kërkuar në personalitetin tënd gjurmët e Hyjne­shës së frikshme, të ndrikullës fatzbuluese, të mëndeshës helmuese të të gjithë të përhënurve. /Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”/

_____________

[1] Bëhet fjalë për Bertën, të dashurën e fundit të Bodëlerit. Sipas kriti­këve, Berta është, gjithashtu, personazhi kryesor i poemave “Sytë e të varfërve” dhe “Supa dhe retë” .

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër