Teuta Haxhiu: Kosova po përballet me një krizë të rëndë institucionale

Nga D V
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Deputetja e Aleancës Teuta Haxhiu, nga foltorja e Kuvendit ka kritikuar situatën institucionale në vend, duke thënë se Kosova po përballet me një krizë të rëndë politike dhe institucionale, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu ka deklaruar se kanë kaluar 17 ditë nga skadimi i afatit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, të përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Janë zbrazur këto ulëse, por megjithatë këto ulëse dhe personat që kanë uzurpuar zyrat po keqpërdorin gjithçka, duke shpenzuar buxhet dhe duke keqpërdorur çdo institucion, duke shkelur ligjin e Kushtetutën”, ka thënë Haxhiu.

Ajo e ka quajtur Albin Kurtin si një “uzurpes serik të institucioneve” që po e mban të bllokuar Kuvendin.

“Deputeti i betuar Kurti, ky uzurupes serik i institucioneve shtetërore, po vazhdon ta mbajë të bllokuar Kuvendin, duke pamundësuar që deputetë të kryejnë obligimet”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, situata e krijuar është ndër më shqetësueset në historinë e re të Kosovës dhe paraqet rrezik për funksionimin e shtetit dhe demokracisë.

“Vështirë se mund të gjendet një situatë e tillë shqetësuese, për më tepër edhe e rrezikshme për vetë funksionimin e shtetit dhe demokracisë”, është shprehur ajo.

Haxhiu ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe zyrtarët institucionalë për, siç ka thënë ajo, bllokimin e institucioneve të vendit.

“Kosova sot po përballet me një krizë të rëndë institucionale ku Kuvendi nuk është konstituuar, Qeveria nuk është formuar”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka thënë se përgjegjësia politike për situatën bie mbi partinë që ka fituar më së shumti vota, duke ia atribuar këtë përgjegjësi Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Humbja e kohës, mosdija dhe mosdashja për të formuar institucionet janë shembulli më i keq që mund t’i ndodhë këtij vendi”, ka thënë Haxhiu.

Deputetja e Aleancës është ndalur edhe te arsimi, duke ngritur shqetësimin për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Sot ka mbetur vetëm një javë kur nxënësit ulen në bankat e shkollës. Ata nuk kanë as idenë më të vogël se kur do të pajisen me tekste. Prindërit ende nuk kanë marrë mjetet”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka kritikuar gjithashtu situatën me numrin e mësimdhënësve, duke thënë se arsimtarët po përballen me pasiguri dhe me lajme se numri i tyre është më i madh sesa nevojat reale të sistemit arsimor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër