Tom Cruise rikthehet në ekran me një rol krejtësisht ndryshe nga ata që ka interpretuar më parë, duke u shndërruar në një manjat nafte në filmin e ri satirik Digger, i cili ka tërhequr vëmendjen për historinë e pazakontë dhe kritikën ndaj shfrytëzimit të mjedisit.
Aktori 64-vjeçar interpreton Digger Rockwell, një biznesmen të pamëshirshëm nga Teksasi, i cili drejton një kompani nafte.
Për këtë rol, Cruise është transformuar plotësisht përmes protezave, duke u shfaqur me flokë të rralluar, nofulla të holla dhe bark të fryrë, në një pamje që ndryshon ndjeshëm nga imazhi i tij i zakonshëm në Hollywood, shkruan DailyMail.
Filmi, me regji të Alejandro Gonzalez Inarritu, ndërthur humorin e zi me satirën politike dhe temat mjedisore. Historia merr një kthesë dramatike kur një shpërthim në Groenlandë shkakton shkëputjen e një pjese të madhe të akullnajës, duke kërcënuar Evropën me pasoja katastrofike.
Ndërkohë, presidenti amerikan, i interpretuar nga John Goodman, dhe kabineti i tij përballen me krizën, ndërsa filmi ironizon politikat energjetike dhe interesat ekonomike që vënë në rrezik planetin.
Digger trajton gjithashtu përgjegjësinë kolektive të shoqërisë për krizën mjedisore, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si konsumi dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore kontribuojnë në dëmtimin e planetit. Në kastin e filmit janë edhe Riz Ahmed, Sandra Hüller dhe Jesse Plemons.
Filmi është pritur me interes nga kritikët, ndërsa regjisori Inarritu, i njohur për veprat Birdman dhe The Revenant, ka sjellë një histori që ndërthur absurditetin me temat serioze.
Sipas kritikut të filmit Brian Viner, Digger është një vepër e guximshme dhe shpeshherë brilante, e cila mund të sjellë vëmendje edhe në sezonin e çmimeve Oscar.


