Toshkovski në Dubai pranoi çmimin “Excellence in Road Safety” për projektin “Qyteti i Sigurt”

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski e pranoi çmimin prestigjioz “Excellence in Road Safety”, të cilin Maqedonia e fitoi për projektin “Qytet i Sigurt”. Çmimi iu nda në ceremoninë zyrtare në kuadër të Samitit Botëror të Policisë 2026 (World Police Summit 2026) në Dubai.

“Ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për Maqedoninë, për policinë e Maqedonisë dhe për reformën përmes së cilës vendosim standarde të reja në sigurinë e komunikacionit. Dëshmuam se Maqedonia ka kapacitet të krijojë zgjidhje moderne, të zbatojë ndryshime thelbësore dhe të njihet në nivel botëror”, thekson Toshkovski në një postim në Fejsbuk.

Ministri theksoi se ky çmim i takon çdo qytetari të Maqedonisë që besoi në këtë ndryshim, e mbështeti atë dhe me kontributin e tij u bë pjesë e misionit të përbashkët për rrugë më të sigurta.

“Por ky vlerësim nuk është qëllimi përfundimtar. Ai përbën një përgjegjësi shtesë që të vazhdojmë me edhe më shumë vendosmëri në atë që është më e rëndësishmja, të zvogëlojmë numrin e aksidenteve në komunikacion, të parandalojmë tragjeditë dhe të mbrojmë sa më shumë jetë njerëzish. Vazhdojmë edhe më fuqishëm! Për rrugë më të sigurta, për jetë njerëzish të mbrojtura, për një Maqedoni më të sigurt!, shkruan Toshkovski në postim.

“Bëhet fjalë për një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për reformat që Ministria e Punëve të Brendshme po zbaton në fushën e sigurisë në trafik. Projekti “Qytet i Sigurt” përfaqëson një qasje sistematike për avancimin e sigurisë në trafik, duke ndërthurur teknologjitë moderne, ndryshimet ligjore, zbulimin automatik të kundërvajtjeve dhe digjitalizimin e procedurave, me qëllimin përfundimtar të uljes së aksidenteve rrugore dhe mbrojtjes së jetës së njerëzve”, thonë nga MPB-ja në njoftim.

Në kuadër të Samitit Botëror të Policisë, ministri Toshkovski pati nderin të mbajë fjalim edhe gjatë sesionit të fjalimeve përshëndetëse, para përfaqësuesve të policive dhe pjesëmarrësve ndërkombëtarë të samitit, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë, duke nënvizuar se, ndonëse kompetencat e institucioneve shtetërore kanë kufij kombëtarë, pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të tyre i tejkalojnë këta kufij.

Si shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar, ministri përmendi hetimin e përbashkët të policisë së Maqedonisë dhe FBI-së kundër platformës ilegale online OLVX, e cila lidhet me tregtinë e të dhënave të vjedhura personale dhe mjeteve për krim kibernetik. Ai theksoi se aktivitetet e ndërmarra në Maqedoni kanë kontribuar në sigurinë digjitale të qytetarëve në SHBA.

“Përmasat e një shteti nuk e kufizojnë rëndësinë e kontributit të tij. Një informacion i dhënë në kohë, një hetim i suksesshëm ose një kërcënim i parandaluar mund të mbrojnë jetë njerëzish shumë përtej kufijve të tij”, ishte një nga mesazhet kryesore të fjalimit të ministrit.

Nga MPB-ja theksojnë se dorëzimi solemn i çmimit përfaqëson një vlerësim ndërkombëtar për angazhimet e policisë së Maqedonisë në avancimin e sigurisë në trafik, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi plotësuese për vazhdimin e reformave, modernizimin dhe zbatimin e zgjidhjeve bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër