Shkup, 9 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në Tetovë realizoi takim me rektorin dhe udhëheqësinë e Universitetit Shtetëror të Tetovës, pas së cilës vizitoi edhe Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë, ku me udhëheqësinë bisedoi për gjendjen aktuale të sigurisë, sfidat dhe rezultatet e punës.
Në takimin me udhëheqësinë e Universitetit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me theks të veçantë në krijimin e mundësive që studentët më të mirë nga programet studimore për të cilat Ministria ka nevojë, pas përfundimit të arsimit, dijen dhe kapacitetin e tyre t’i vënë në funksion të institucioneve dhe sigurisë së qytetarëve.
Gjatë vizitës në SPB Tetovë u konstatua gjendje e qëndrueshme e sigurisë, ndërsa si veçanërisht të rëndësishme u veçuan rezultatet në fushën e sigurisë së komunikacionit.
Tetova është një nga qytetet ku tashmë zbatohet sistemi “Qytet i sigurt”, dhe sipas të dhënave për tetë muajt e parë të këtij viti, në territorin e SPB Tetovë në aksidente komunikacioni jetën e kanë humbur tre persona, kundrejt nëntë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Është ulur edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve komunikacionale.
“Këto janë rezultate që flasin më së miri për përfitimet nga sistemi. Kur flasim për ‘Qytet i sigurt’, nuk flasim vetëm për sanksionimin e shkeljeve, por para së gjithash për ndryshimin e zakoneve të komunikacionit, rrugë më të sigurta dhe shpëtimin e jetëve njerëzore”, theksoi ministri Toshkovski.
