Toshkovski: Qëllimi nuk është vetëm sekuestrimi, por zbulimi i strukturave dhe rrjedhave financiare pas tregtisë me drogë

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në Akademinë Policore në Shkup u drejtua në hapjen e trajnimit për hetime dhe ndjekje penale të veprave penale të lidhura me drogat, në organizim të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC), me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trajnimi është pjesë e projektit për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Drogat dhe është i orientuar drejt përmirësimit të kapaciteteve për zbatimin e hetimeve të ndërlikuara përmes lidhjes së hetimeve kriminalistike dhe financiare, konfiskimit të pasurisë dhe aplikimit të teknikave të veçanta hetimore.

Në hapje morën pjesë edhe Karolajn R. Bodenhegen, drejtoreshë në Byronë për çështje ndërkombëtare të lidhura me narkotikët dhe zbatimin e ligjit (INL), dhe Danilo Rici, përfaqësues rajonal i UNODC për Evropën Juglindore.

Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se lufta kundër tregtisë me drogë është një nga prioritetet kyçe të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se operacionet e deritanishme e konfirmojnë përcaktimin për përballje të vendosur me këtë lloj kriminaliteti.

“Vitit ia filluam me zbulimin e mbi 10 kilogramëve kokainë, për të vazhduar me një nga operacionet më të mëdha ku u sekuestruan mbi 40 tonë marihuanë dhe biomasa kanabisi, ndërsa në aksione të veçanta u sekuestruan shtesë 150 dhe 65 kilogramë marihuanë, e deri te aksioni i fundit javën e kaluar kur zbuluam 680 kilogramë kërcell kanabisi. Shtesë janë realizuar disa raste të lidhura me heroinë, droga sintetike, përfshirë amfetaminë, metamfetaminë dhe MDMA”, theksoi Toshkovski.

Ministri nënvizoi se hapi i ardhshëm është përmirësimi i mëtejshëm i hetimeve, në mënyrë që veprimi policor të mos përfundojë vetëm me zbulimin dhe sekuestrimin e drogës, por të drejtohet edhe ndaj personave, strukturave kriminale dhe rrjedhave financiare që qëndrojnë pas tregtisë së palejuar.

“Qëllimi ynë është që këto aktivitete të vazhdojnë me efikasitet edhe më të madh dhe të drejtohen jo vetëm ndaj sekuestrimit të drogës, por edhe ndaj zbulimit të personave, strukturave dhe rrjedhave financiare që qëndrojnë pas tregtisë së saj. Kjo kërkon bashkëpunim të fortë ndërkombëtar, shkëmbim të kohshëm të informatave dhe veprim të përbashkët”, potencoi ministri Toshkovski.

Ai shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe operative të Ministrisë, si dhe ndaj UNODC për realizimin e projektit dhe bashkëpunimin e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar.

Toshkovski u porositi policëve dhe hetuesve që marrin pjesë në trajnim se e kanë mbështetjen e plotë institucionale të udhëheqjes së Ministrisë në zbatimin e hetimeve të ndërlikuara të lidhura me tregtinë e drogës.

“Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe unë personalisht, qëndrojmë plotësisht pas aktiviteteve të orientuara drejt forcimit të bashkëpunimit dhe përballjes së vendosur me tregtinë e drogës dhe krimin e organizuar”, porositi Toshkovski.

Trajnimi paraqet vazhdim të aktiviteteve për thellimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, UNODC dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në njohuri praktike dhe metoda moderne hetimore të nevojshme për zbulim më efikas dhe ndjekje penale të strukturave kriminale të organizuara të lidhura me tregtinë e palejuar me drogë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër