Tragjedia në Austri, MPJD: Po koordinohemi me familjarët për kthimin e trupave

Nga D. V.
785 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ka dalë me reagim lidhur me aksidentin e rëndë që ka ndodhur dje rreth orës 14:15 në Vjenë, Austri, ku kanë humbur jetën tre shtetas kosovarë.

Sipas informacionit zyrtar të autoriteteve austriake, aksidenti ndodhi në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit u shemb dhe disa punëtorë mbetën të zënë nën rrënoja.

“Bazuar në konfirmimet zyrtare dhe në informacionet e siguruara përmes kontakteve me familjarët, deri në këto momente është konfirmuar se nga viktimat e identifikuara janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj me prejardhje nga Republika e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Ministria thekson se që nga marrja e informacionit, institucionet e Kosovës janë koordinuar ngushtë me familjarët për të ofruar mbështetje dhe për të lehtësuar procedurat për kthimin e trupave të viktimave në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi”, përfundon njoftimi.

Institucionet kosovare vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe mbeten në gatishmëri për çdo ndihmë të mëtejshme për familjarët e viktimave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër