Shkup, 25 prill Zhurnal.mk – Koordinatori nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Pavle Trajanov, vlerëson se në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka sistemin më të mirë të ndërtuar dhe funksional për parandalimin e radikalizimit.
Sipas tij, sistemi është vazhdimisht në përmirësim dhe bazohet në koordinimin e një numri të madh institucionesh dhe organizatash.
“Gjenralisht, nëse krahasojmë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia ka sistemin më të mirë të vendosur që është në funksion të parandalimit të radikalizimit”, deklaroi Trajanov.
Ai theksoi se në këtë proces janë të përfshira rreth 22 institucione, përfshirë Agjencinë për Siguri Kombëtare, Agjencinë e Zbulimit, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe organe të tjera kompetente, si dhe rreth 20 organizata joqeveritare.
“Koordinimi i 22 institucioneve nuk është i rëndë në kuadër të qasjes për parandalimin e radikalizimit, ndërsa janë të përfshira edhe 20 OJQ”, tha ai.
Trajanov shtoi se Bashkimi Evropian luan rol të rëndësishëm përmes strategjive dhe udhërrëfyesve që ndiqen edhe nga vendet e rajonit, ku Maqedonia, sipas tij, është ndër më aktive.
Ai theksoi se parandalimi varet nga shumë faktorë – familja, arsimi, mjedisi social dhe reagimi institucional.
“Maqedonia në këtë periudhë dhe më gjatë ka qenë mesatarisht e rrezikuar, ndërsa tani jemi më pak të rrezikuar në përgjithësi, por duhet kujdes, sepse vlerësimet mund të ndryshojnë shumë shpejt. Asnjëherë nuk e dini kur mund të ‘shpërthejë’ situata”, paralajmëroi Trajanov.
