Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Konferenca e tretë e nivelit të lartë e drejtorëve të përgjithshëm të doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së u mbajt sot në Athinë, duke shënuar një kalim të rëndësishëm nga miratimi politik i Korridoreve të Gjelbra drejt integrimit të tyre operativ të gjerë me tregun unik të BE-së, transmeton Zhurnal.
Ngjarja u organizua bashkërisht nga Autoriteti i Pavarur për të Ardhurat Publike i Republikës Helenike, Sekretariati i CEFTA-s përmes projektit SEED+, dhe Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit.
Në konferencë, Korridoret e Gjelbra dhe të Kaltër, të mbështetura nga SEED+, u theksuan si një hap konkret drejt tregtisë së pandërprerë dhe integrimit ekonomik më të afërt mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Picalis: Bashkëpunimi doganor është prioritet strategjik për stabilitetin dhe integrimin evropian
“Konferenca e tretë e nivelit të lartë e drejtorëve të përgjithshëm të doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së e thekson rëndësinë strategjike të bashkëpunimit doganor për stabilitetin rajonal, rezistencën ekonomike dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në mjedisin e sotëm, administratat doganore nuk janë vetëm organe kufitare – ato janë institucione kyçe për mbrojtjen e të ardhurave publike, lehtësimin e tregtisë legjitime, forcimin e sigurisë së zinxhirëve të furnizimit dhe mbështetjen e konvergjencës me dhe brenda Bashkimit Evropian.
Për Greqinë dhe Autoritetin e Pavarur për të Ardhurat Publike, ky bashkëpunim përfaqëson njëkohësisht përgjegjësi dhe prioritet strategjik. Përmes iniciativave si Korridoret e Gjelbra, shkëmbimi i informacionit para mbërritjes, sistemet interoperabile dhe harmonizimi me standardet e BE-së, ne ndërtojmë besim praktik dhe krijojmë kushte për një mjedis doganor të lidhur dhe të sigurt.
IAPR do të vazhdojë ta mbështesë këtë punë të përbashkët përmes modernizimit digjital, bashkëpunimit teknik dhe angazhimit aktiv rajonal, duke kontribuar për një hapësirë doganore evropiane më të fortë, më rezistente dhe më të integruar.”, përfundoi guvernatori Picallis.
