Trumpi dhe Putini shtrëngojnë duart, takohen pas më shumë se një viti

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shenzhen, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u takuan sot në qytetin kinez të Shenzhenit, ku shtrënguan duart, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Ky është takimi i parë mes dy liderëve që nga gushti i vitit 2025, kur ata zhvilluan bisedime në Alaska.

Përshëndetja e tyre shënon një kontakt të drejtpërdrejtë pas më shumë se një viti, në një periudhë të karakterizuar nga tensionet ndërkombëtare dhe mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Pamjet e takimit treguan presidentin rus duke iu afruar homologut amerikan, përpara se të dy të përshëndeteshin dhe të shtrëngonin duart. Në momentin e takimit ishte i pranishëm edhe presidenti kinez, Xi Jinping.

Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve diplomatike të samitit, përpara darkës zyrtare të mirëseardhjes, ku morën pjesë liderët e vendeve pjesëmarrëse.

Përshëndetja mes Trump dhe Putin vjen një ditë përpara takimit tripalësh të planifikuar më 19 nëntor, ku pritet të marrin pjesë tre liderët: Trump, Putin dhe Xi Jinping.

Një nga çështjet kryesore që pritet të diskutohet është lufta në Ukrainë. Trump ka deklaruar se dëshiron që konflikti të jetë pjesë e bisedimeve, ndërsa marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit mbeten të tensionuara.

Kontrolli i armëve bërthamore pritet gjithashtu të jetë një tjetër temë e rëndësishme. Trump ka shprehur interesin për një marrëveshje të re për kufizimin e armëve bërthamore, ku të përfshihet edhe Kina.

Takimi i nesërm pritet jetë një tjetër moment diplomatik në marrëdhëniet mes tri fuqive të mëdha, SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, të cilat do të diskutojnë çështje që ndikojnë në sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër