Tiranë, 23 tetor Zhurnal.mk – Turizmi në Shqipëri vijon të shënojë rritje të ngadaltë. Edhe muaji shtator që zakonisht shënon fundin e sezonit veror nuk solli një përshpejtim të ndjeshëm të flukseve turistike.
Sipas të dhënave të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri u rritën me vetëm 2.1% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Në vend hynë rreth 1 milion e 287 mijë shtetas të huaj ose afro 27 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ndërsa për periudhën janar-shtator, rritja e hyrjeve të të huajve arriti në 4.9%, më e ulët kjo krahasuar me ritmin e regjistruar në muajt e mëparshëm.
Në vizitat e të huajve në shqipëri mbizotërojnë më shumë qëllimi për pushime ndërsa në rritje kanë qenë dhe ato për biznes dhe arsye shëndetësore.
Nga ana tjetër shqiptarët shtuan daljet jashtë vendit. Rreth 824 mijë qytetarë zgjodhën të udhëtojnë drejt shteteve të tjera duke shënuar një rritje me 6.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ecuria e sezonit turistik është shoqëruar me luhatje, pasiguri dhe pritshmëri të paplotësuara për një rritje më të fortë të vizitorëve. Në këtë klimë, protestat që përfshinë vendin që prej muajit maj kanë shtuar pikëpyetjet mbi ndikimin në imazhin e vendit dhe vendimmarrjen e turistëve.
Përtej numrit të vizitorëve, sfidë për sektorin mbetet edhe përfitimi ekonomik. Operatorët turistikë raportojnë qëndrime më të shkurtra, rezervime në moment të fundit dhe kujdes më të madh në shpenzime.
Shifrat tregojnë se turizmi po humbet vendin si një nga sektorët kryesorë që furnizon ekonominë shqiptare me të ardhura. Ritmi i rritjes vijon të ngrejë pikëpyetje për ecurinë e sektorit dhe aftësinë për ta kthyer fluksin e vizitorëve në më shumë të ardhura për ekonominë.
