“Turpi nuk u përket grave, por atyre që i filmuan”, Luarasi reagon pas publikimit të videove intime: Shpërndarja s’është gazetari, por dhunë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Deputetja socialiste Iris Luarasi ka reaguar pas qarkullimit të videove intime me disa personazhe të njohur.

Në një reagim në Facebook, Luarasi shkruan se turpi nuk iu përket grave, por atyre që filmuan dhe i shpërndanë, teksa shtoi se shpërndarja e tyre nuk është gazetari, por dhunë.

 Postimi i plotë i Iris Luarasit:

Ajo që dy të rritur bëjnë me dëshirë në jetën e tyre private nuk është krim. Nëse dikush është filmuar pa dijeninë ose pëlqimin e tij, kjo duhet të hetohet. Po ashtu edhe publikimi e shpërndarja e pamjeve private. Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me “share”, klikime e tallje.

Përshëndes hetimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria, si edhe reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për ndalimin dhe heqjen e këtyre materialeve. Por drejtësia merr formë të plotë kur personat e prekur e denoncojnë rastin: kjo është rruga për të zbardhur si janë realizuar videot, kush i ka përdorur dhe kush i ka shpërndarë. Grave që sot gjenden në qendër të këtij linçimi u them se nuk jeni vetëm. Nuk keni pse të mbani turpin për cenimin që mund t’ju jetë bërë. Turpi u përket atyre që filmuan, publikuan, shpërndanë dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me klikime, komente dhe tallje. Edhe për ata që i shpërndajnë këto video: çdo “share”, çdo dërgim në një grup privat, çdo koment fyes apo tallës e zgjat dëmin. Nuk jeni thjesht spektatorë. Bëheni pjesë e dhunës ndaj një njeriu. Të qenit person publik nuk ia heq askujt të drejtën për privatësi; as nuk i jep publikut të drejtën të gjykojë, fyejë apo dënojë një grua për zgjedhjet e saj personale. Ata që e paraqesin jetën intime të dikujt si “lajm” për klikime dhe fitim nuk po bëjnë gazetari. Gazetaria informon, verifikon dhe respekton dinjitetin e njeriut. Shfrytëzimi i materialeve intime për trafik nuk është informim, por është ekspozim, poshtërim dhe dhunë. Duhet përgjegjësi e qartë për çdo portal, faqe apo person që jeton nga linçimi i jetëve njerëzore.

Mos harroni më të rëndësishmen se këto gra kanë fëmijë, nëna, prindër, familje, miq dhe jetë përtej ekranit. Pasojat e këtij turpërimi publik mund të jenë të rënda, të thella dhe të pakthyeshme”, shkruan Luarasi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër