U kërkoi të mos ndërhyjnë në Gjykatën Kushtetuese, ambasadori i Francës nuk komenton deklaratat e Rrustemit

Nga D. V.
734 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, ka deklaruar se nuk ka koment për pretendimet e deputetit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, i cili tha se vizitat e disa ambasadorëve mund të dëmtojnë funksionimin e Gjykata Kushtetuese.

“Nuk kam asnjë koment. Faleminderit. Dhe të mos kesh një koment, është një koment,” tha Guerot në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Ndërkaq, i pyetur për takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti të premten, pas shpalljes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani, ambasadori u shpreh se detajet e diskutimeve do t’i mbajë për vete.

Këto komente, Guerot i bëri pas një ngjarje që pati me komunën e Prishtina, ku u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës.

Deputeti Rrustemi u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook ai ka deklaruar se ndërhyrjet e mundshme përmes vizitave apo takimeve mund të dëmtojnë rëndë institucionin më të lartë kushtetues në vend.

Gjykata Kushtetuese aktualisht po shqyrton ankesën e Vetëvendosjes për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

Më 9 mars, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars, periudhë gjatë së cilës presidentja nuk mund të shpallë zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk mund të zhvillojë aktivitetin e tij. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër