Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka vizituar aktivitetin e organizuar nga Shkolla e Mesme Komunale e Mjekësisë në Gostivar, me rastin e Ditës Botërore të Shkencës, nën moton „Shkenca – aty ku dija ndërton një të ardhme më të mirë!“.
Gjatë vizitës, Limani u njoh nga afër me demonstrimet dhe aktivitetet praktike të përgatitura nga nxënësit, përmes të cilave ata prezantuan njohuritë, kreativitetin dhe përkushtimin e tyre në fushën e shkencës.
Ai shprehu kënaqësinë për punën dhe angazhimin e nxënësve, duke përgëzuar drejtuesit e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit për organizimin e aktivitetit.
„Si Komunë e Gostivarit, mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e arsimit dhe të të rinjve, duke investuar në dijen dhe potencialin e tyre për një të ardhme më të mirë“, ka deklaruar Limani.
Aktivitete të tilla synojnë të nxisin interesimin e të rinjve për shkencën, të promovojnë të nxënit përmes praktikës dhe të krijojnë hapësira ku nxënësit mund të prezantojnë aftësitë dhe njohuritë e tyre.

