Vazhdon rritja e shpenzimeve, ndërsa të ardhurat kanë stagnuar në vend!

nga I.A

Shkup, 22 janar – Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve të jetesës po e zhyt gjithnjë e më shumë familjen mesatare sidomos atë shqiptare, ndërkohë që të ardhurat, veçanërisht pagat kanë stagnuar për një periudhë të gjatë kohore në vend. Të dhënat më të fundit të ESHS tregojnë qartë për këtë dallim shqetësues mes shpenzimeve dhe të ardhurave ku vetëm në janar, shpenzimet minimale mujore për një familje katër anëtarëshe janë rritur për 921 denarë, duke arritur në 66.413 denarë, shkruan Zhurnal.

Shpenzimet në qiell të ardhurat përtokë – 

Kjo gjë vërtetë është e rëndë dhe e papërballueshme për familjet që kanë një anëtar të punësuar dhe që merr pagë minimale. Situata bëhet edhe më alarmante kur në këtë llogari përfshihet qiraja. Një familje që jeton në një banesë me qira prej 60 metrash katrorë ka nevojë për të paktën 81.788 denarë në muaj për të mbuluar shpenzimet minimale. Kjo shifër është larg realitetit financiar të shumicës së familjeve, sidomos atyre që varen nga paga minimale ose nga të ardhura të ulëta dhe të pasigurta. Një muaj punojnë dy muaj jo, dhe kjo shkakton mbijetësë të rënduar që shpesh përfundon edhe me largim nga vendi. 

Struktura e shpenzimeve tregon qartë se rritja e çmimeve prek drejtpërdrejt nevojat bazë. Mbi 24.000 denarë në muaj shpenzohen vetëm për ushqim dhe pije, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme shkon për shpenzime të tjera të domosdoshme për jetesë. Në këtë kontekst, kursimi apo përmirësimi i standardit jetësor mbetet një iluzion për shumicën e qytetarëve.

Paga minimale e domosdoshme 600 euro – 

Ndërkohë, pagat nuk e kanë ndjekur këtë trend rritës të çmimeve. Inflacioni, rritja e kostos së energjisë, ushqimit dhe banimit kanë gërryer fuqinë blerëse të qytetarëve, duke e kthyer pagën mujore në një mjet mbijetese, jo zhvillimi. Pikërisht për këtë arsye, kërkesa e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritjen proporcionale të pagave të tjera nuk është thjesht sindikaliste, por një kërkesë sociale dhe ekonomike e domosdoshme.

Paralajmërimi për protesta duhet të shihet si sinjal alarmi për institucionet. Nëse politika ekonomike vazhdon të injorojë realitetin e jetës së përditshme të qytetarëve, pakënaqësia sociale do të thellohet. Rritja e shpenzimeve pa rritje të të ardhurave nuk është vetëm problem statistikor, por një krizë reale që prek dinjitetin dhe sigurinë ekonomike të familjeve.

Prandaj, pyetja që shtrohet është e thjeshtë deri kur qytetarët do të mbajnë barrën e rritjes së çmimeve, ndërsa pagat mbeten të ngrira? Pa masa konkrete për rritjen e të ardhurave dhe mbrojtjen e standardit jetësor, çdo muaj i ri do të sjellë vetëm shifra më të larta dhe jetë më të vështira. 

Kujtojmë që, kjo indiferenc dhe qasje e shurdh memeceve nga institucionet përgjegjëse ka ndikuar negativisht dhe ka sjellë eksod masiv jo vetëm të të rinjve por të të gjitha moshave dhe të të gjitha profesioneve. Prandaj, sa nuk është bë edhe më dëm i madh që nga kriza financiare të kalohet në krizë të resurseve njerëzore duhet të veprohet në mënyrë që tu mundësohet një mbijetesë e dinjitetshme për të gjithë pa dallim. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More