Shkup, 23 tetor, Zhurnal.mk – Çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike apo vendbanimit të tij kontribuon përmes taksave në mbushjen e arkës së shtetit dhe, rrjedhimisht, ka të drejtë të përfitojë nga investimet publike në mënyrë të barabartë. Megjithatë, zhvillimet e fundit ngrisin dyshime mbi drejtësinë e shpërndarjes së investimeve kapitale. Nga njoftimet e vazhdueshme të institucioneve qendrore krijohet përshtypja se fokusi kryesor i investimeve është përqendruar në qytetet dhe komunat e banuara kryesisht me maqedonas, ndërsa shumë zona shqiptare vazhdojnë të përballen me mungesë investimesh në infrastrukturë, arsim, kulturë dhe sport, shkruan Zhurnal.
Investimet e fundit të orientuara drejt zonave të banuara me maqedonas
Qeveria ka promovuar kohët e fundit një sërë projektesh kapitale në qytete të ndryshme të vendit, duke i prezantuar ato si investime strategjike për zhvillimin lokal. Një nga projektet më të fundit është rinovimi i plotë i sallës sportive në Prilep. Konstruksioni financiar parashikon që mjetet të realizohen në tri faza në vitin 2026 janë planifikuar 2 milionë denarë, në vitin 2027 plot 89 milionë denarë, ndërsa në vitin 2028 edhe 89 milionë denarë shtesë. Bëhet fjalë për një investim shumëvjeçar që synon transformimin e plotë të këtij objekti sportiv.
Po ashtu, vazhdimisht promovohen investime në infrastrukturën rrugore në pjesën lindore dhe jugore të vendit, përfshirë autostradën Ohër-Kërçovë, e cila vazhdon të marrë mbështetje të konsiderueshme financiare si një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend. Krahas saj, janë paralajmëruar ose janë në realizim investime në rrugë rajonale, objekte sportive dhe projekte komunale në qytete si Shtipi, Velesi dhe Kavadari.
Në fushën e sportit dhe kulturës, fondet shtetërore kanë mbështetur rindërtimin ose modernizimin e objekteve publike në disa komuna me shumicë maqedonase. Sallat sportive, qendrat kulturore dhe institucionet publike po përfitojnë financime të reja, duke krijuar kushte më të mira për qytetarët dhe duke kontribuar në zhvillimin lokal.
Paralelisht, investimet në energjetikë dhe infrastrukturë mbështetëse po orientohen në projekte që lidhen me komunat në pjesën qendrore dhe lindore të vendit. Këto investime janë të nevojshme dhe askush nuk e konteston rëndësinë e tyre. Problemi nuk qëndron te realizimi i projekteve në këto zona, por te mungesa e një dinamike të ngjashme në rajonet ku jeton popullsia shqiptare.
Ku po ngelin zonat shqiptare?
Ku janë projektet e mëdha shtetërore në Tetovë, Gostivar, Çair, Saraj, Likovë, Studeniçan, Bogovinë, Vrapçisht apo Zhelinë? Pse qytetarët e këtyre zonave rrallëherë dëgjojnë për investime kapitale me vlera dhjetëra apo qindra milionëshe që financohen drejtpërdrejt nga buxheti qendror?
Shumë prej këtyre komunave vazhdojnë të përballen me probleme kronike infrastrukturore. Shkollat, rrugët lokale, rrjetet e ujësjellësit, objektet sportive dhe hapësirat publike shpesh mbeten në pritje të projekteve që do të duhej të ishin prioritet shtetëror. Në vend të tyre, shpesh shihen investime të fragmentuara dhe me ndikim të kufizuar, të cilat nuk arrijnë të ndryshojnë realisht standardin e jetesës së qytetarëve.
Kjo situatë krijon perceptimin se ekzistojnë qytetarë të rendit të parë dhe të rendit të dytë kur bëhet fjalë për shpërndarjen e mjeteve publike. Edhe nëse një perceptim i tillë nuk reflekton domosdoshmërisht realitetin e plotë statistikor, përgjegjësia për ta çmontuar atë bie mbi institucionet. Transparenca, balanca rajonale dhe investimet proporcionale janë mënyra e vetme për të dëshmuar se shteti u përket njësoj të gjithë qytetarëve.
Kujtojmë që. zhvillimi i një vendi nuk matet vetëm me numrin e projekteve të realizuara, por edhe me drejtësinë e shpërndarjes së tyre. Investimet në Prilep, Shtip, Veles apo qytete të tjera janë të mirëpritura, por ato nuk duhet të bëhen në dëm të rajoneve shqiptare. Një shtet i qëndrueshëm ndërtohet mbi parimin e barazisë dhe zhvillimit të ekuilibruar. Për aq kohë sa një pjesë e qytetarëve ndihen të lënë jashtë radarit qeveritar, do të vazhdojnë të ekzistojnë pakënaqësi dhe ndarje që dëmtojnë kohezionin shoqëror dhe perspektivën e përbashkët zhvillimore të vendit. /Zhurnal.mk
