Violeta Tomovska kaloi tetë orë e bllokuar nën rrënojat e tërmetit të Shkupit, gërmoi me duar për të shpëtuar

Nga Xh M
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 korrik Zhurnal.mk – Violeta Tomovska për pak sa nuk e humbi jetën gjatë tërmetit katastrofik të Shkupit në vitin 1963. Diva e muzikës popullore qëndroi tetë orë e bllokuar nën rrënoja së bashku me kushëririn e saj, muzikantin, dirigjentin dhe kompozitorin e njohur, Lupço Mirkovski.

Mirkovski kujtoi momentet dramatike që përjetoi gjatë tërmetit shkatërrues të vitit 1963, kur si fëmijë pesëvjeçar mbeti i zënë nën rrënoja së bashku me kushërirën e tij, këngëtaren legjendare të muzikës popullore, Violeta Tomovska.

Në një intervistë për Wikimedia, Mirkovski rrëfen se pikërisht guximi dhe këmbëngulja e saj ua shpëtuan jetën.

“Për tetë orë me Violetën ishim të bllokuar nën rrënoja dhe falë saj jemi gjallë. Shpesh i kujtojmë ato momente që na ndryshuan jetën përgjithmonë. Jam gjallë falë saj, guximit dhe këmbënguljes së saj për të na nxjerrë nga rrënojat”, tha Mirkovski për Wikimedia.

Ai kujton se në momentin e tërmetit ishte vetëm pesë vjeç, ndërsa Violeta Tomovska ishte 18 vjeçe. Me origjinë nga Manastiri, ajo në atë kohë ndiqte shkollën e mesme në Shkup dhe një natë para tërmetit kishte shkuar për vizitë te familja e tyre.

“Jetonim në një ndërtesë përballë Teatrit të Vjetër, pranë Urës së Drurit. Violeta ishte dhe mbeti për mua si motër. E doja aq shumë sa këmbëngula të flija në shtratin e saj atë natë. Kur ndodhi tërmeti, isha pranë saj. Ndërtesa jonë u shemb, pati shumë viktima dhe shumë njerëz mbetën nën rrënoja”, rrëfen ai.

Mirkovski zbulon se për gati tetë orë mbetën të bllokuar, por Tomovska nuk u dorëzua.

“Violeta filloi të gërmonte me duar të zhveshura nëpër rrënoja. Donim të arrinim te drita dhe të thërrisnim për ndihmë. Falë këmbënguljes së saj ia dolëm. Njerëzit dëgjuan thirrjet tona, hapën një kalim dhe na nxorën. Nuk kishim lëndime të rënda, ndërsa familjarët tanë ishin jashtëzakonisht të lumtur që na panë gjallë”, tha Mirkovski.

Ai shton se, megjithëse ata mbijetuan, familja e tij përjetoi një tragjedi të madhe. Në tërmet humbën jetën tezja e tij, si edhe daja i tij, këngëtari i operës, Bllagoj Petrov Karagjule.

Vitin e kaluar, familja u mblodh për të festuar 80-vjetorin e lindjes së Violeta Tomovskës.

Si surprizë për ditëlindjen e saj të 80-të, familja e këngëtares legjendare realizoi një version të ri të këngës “Molitva”, të cilën e interpretojnë dhe e luajnë të gjithë muzikantët e familjes së saj të gjerë.

Vajza e saj, Nevenka Rosomanova, tregoi se kënga u incizua për vetëm tre orë dhe se të gjithë të afërmit që jetojnë në Beograd, Zagreb dhe Çikago pranuan menjëherë të merrnin pjesë, duke dërguar incizimet e tyre. Në interpretim morën pjesë edhe muzikantët e njohur Sllave Dimitrov, djemtë e tij Darko dhe Oliver, Ollgica Hristovska, Maja Sazdanovska dhe të tjerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër