Shkup, 24 tetor, Zhurnal.mk – VLEN u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi dhe të mbështesin listën e përbashkët të partive politike shqiptare.
Në thirrjen e saj, VLEN thekson se bashkimi politik i shqiptarëve të Luginës tashmë është realitet dhe se tani është koha që ky bashkim të dëshmohet përmes votës, mobilizimit dhe sigurimit të përfaqësimit sa më të madh shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
VLEN u është drejtuar veçanërisht shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, duke i ftuar të udhëtojnë drejt vendvotimeve të tyre dhe ta ushtrojnë të drejtën e votës.
“Urojmë që ta kthejmë bashkimin në forcë politike dhe 25 tetorin në një ditë historike për shqiptarët e Luginës!”, thuhet në apelin e VLEN-it.
Sipas koalicionit, synimi kryesor është rritja e përfaqësimit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ndërsa theksohet se çdo votë ka rëndësi për arritjen e këtij objektivi.
“Çdo votë ka rëndësi!”, përfundon thirrja e VLEN-it drejtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
