Shkup, 30 qershor, Zhurnal.mk – Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE zbaton politika të orientuara drejt modernizimit dhe digjitalizimit, me synim të sigurojë institucione më efikase dhe një nivel më të lartë sigurie për qytetarët, thuhet në komunikatën e VMRO‑DPMNE‑së.
Tekstin e përcjellim të plotë:
Sistemi “Qytet i Sigurt” është një nga projektet më të rëndësishme në këtë drejtim, i harmonizuar me standardet evropiane dhe që paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë në komunikacion.
Për zbatimin e sistemit u siguruan të gjitha parakushtet ligjore, ndërsa procesi u realizua në mënyrë transparente. Periudha testuese filloi më 1 dhjetor të vitit të kaluar dhe menjëherë tregoi gjendjen reale në rrugë.
Në 24 orët e para u regjistruan rreth 110.000 shkelje, pjesa më e madhe për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, si dhe 5.000 kalime në dritë të kuqe dhe rreth 1.000 automjete të paregjistruara.
Që në ditën e parë u vërejt një rënie e ndjeshme e numrit të shkeljeve – gati 50% më pak. Deri në fillimin zyrtar të zbatimit të plotë të sistemit, më 1 shkurt 2026, numri ditor i shkeljeve u reduktua në 500–600, që paraqet ulje prej më shumë se 99% krahasuar me fillimin e fazës testuese.
Këto tregues konfirmojnë se sistemi ka efekt të fortë parandalues dhe nxit sjellje më të përgjegjshme në komunikacion.
Qëllimi kryesor i “Qytet i Sigurt” është ulja e numrit të aksidenteve të rënda dhe shpëtimi i jetëve, në përputhje me objektivin strategjik që deri në vitin 2030 të reduktohen ndjeshëm rastet me pasoja fatale dhe lëndime të rënda në rrugë.
Pas vendosjes së sistemit në Shkup, Tetovë, Kumanovë, në korridoret 8 dhe 10 dhe në Veles, zbatimi vazhdon të zgjerohet. Kohët e fundit janë instaluar kamera në Novo Sello të komunës së Debarcës, ndërsa ka nisur edhe implementimi gradual në Ohër.
Më e rëndësishmja është se sot mund të flitet për rezultate konkrete dhe të matshme. Në pesë muajt e parë të zbatimit, numri i të vdekurve në aksidente trafiku është ulur për 40% – nga 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 33 këtë vit.
Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE mbetet e përkushtuar në zbatimin e politikave që sigurojnë më shumë siguri për qytetarët. Zgjerimi i sistemit do të vazhdojë, sepse siguria e qytetarëve mbetet një nga prioritetet më të larta.
