Zagreb, 17 tetor Zhurnal.mk – Presidenti i Kroacisë Zoran Milanovic u takua të premten në Zagreb me Ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi, duke shprehur gatishmërinë e Kroacisë për të forcuar shkëmbimet në të gjitha nivelet dhe për të avancuar bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm me Kinën.
Gjatë takimit, Milanovic i kërkoi Wang Yi-së, që është edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, t’i përcillte përshëndetjet e sinqerta kryetarit shtetëror të Kinës Xi Jinping. Kina ka pasur ndryshime të mëdha gjatë dekadave të fundit dhe ka arritur suksese të jashtëzakonshme në zhvillimin ekonomik dhe social, tha Milanovic.
Zhvillimi paqësor i Kinës nuk paraqet kërcënim për asnjë vend dhe duhet të shihet objektivisht dhe racionalisht nga të gjitha palët. Çdo vend ka sistemin dhe parimet e veta. Të gjitha vendet duhet të respektojnë rrugët e zhvillimit dhe mënyrat e jetesës së njëra-tjetrës dhe të forcojnë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë përmes dialogut dhe komunikimit, tha Milanovic.
Duke theksuar se Kroacia dhe Kina gëzojnë marrëdhënie miqësore afatgjata dhe kanë arritur rezultate të rëndësishme në bashkëpunim në fusha të ndryshme, Milanoviç tha se Kroacia i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën dhe është e gatshme të forcojë shkëmbimet në të gjitha nivelet dhe të avancojë bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë.
Milanoviç tha se prej kohësh i ka kushtuar vëmendje politikës së jashtme të Kinës dhe kupton plotësisht pozicionet dhe pikëpamjet e saj. Ai riafirmoi angazhimin e fortë të Kroacisë ndaj politikës së “një Kine”, duke theksuar se Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës.
Wang i shprehu përshëndetjet e ngrohta të kryetarit Xi Presidentit Milanovic dhe e vlerësoi atë për perspektivën e tij racionale, pragmatike dhe miqësore mbi zhvillimin dhe rigjallërimin e Kinës. Wang gjithashtu theksoi përpjekjet e Milanovic për të promovuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe angazhimin e tij të gjatë për shkëmbime miqësore me Kinën.
Wang shtoi që me një civilizim që zgjat 5000 vjet, angazhimi i thellë i Kinës për paqe do të thotë se ajo nuk kërkon të përdorë forcën e saj për të dominuar të tjerët, por përkundrazi ndjek bashkëpunimin dhe përfitimet e ndërsjella me të gjitha vendet.
Wang tha se kryetari Xi ka propozuar synimin për ndërtim të një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit, duke theksuar se të gjitha vendet duhet të qëndrojnë së bashku, të përqafojnë fatin e tyre të përbashkët dhe të mbrojnë e zhvillojnë së bashku të vetmin planet që njerëzimi e quan shtëpi.
Kina mbështet një botë të barabartë dhe të rregullt multipolare, ku të gjitha vendet, të mëdha dhe të vogla, janë të barabarta dhe mbajnë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare bazuar në Kartën e OKB-së.
Duke theksuar se Kina ka gjetur një rrugë zhvillimi të përshtatshme për kushtet e saj, të mbështetur nga populli i saj dhe në përputhje me trendet e kohës, Wang tha se rilulëzimi i madh i kombit kinez ka hyrë në një proces historik të pakthyeshëm.
Kina do të përpiqet ta bëjë botën më paqësore, më të qëndrueshme dhe më të begatë, tha Wang, duke shtuar se suksesi i Kinës nuk është vetëm i saj, por edhe një sukses për të gjitha vendet e Jugut Global.
Wang tha se Kina është e gatshme të shohë marrëdhëniet e saj me Kroacinë nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë dhe të eksplorojë mënyra për të ngritur më tej lidhjet dypalëshe mbi bazën e partneritetit të tyre gjithëpërfshirës bashkëpunues.
Të dyja palët gjithashtu shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet Kinë-Evropë. Wang vuri në dukje se nuk ka konflikt themelor interesi midis Kinës dhe BE-së, dhe se të dyja palët mund të ndihmojnë njëra-tjetrën të kenë sukses dhe të arrijnë prosperitet të përbashkët.
