Zgjerimi i hetimeve në rastin e BKS-së, shkon në 69 numri i të pandehurve

Nga D V
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 shtator, Zhurnal.mk – Prokuroria Themelore në Prizren, të martën njoftoi se ka zgjeruar hetimet për dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duke e çuar në 69 numrin e të pandehurve.

Dje, hetimet janë zgjeruar ndaj 21 punëtorëve të BKS-së, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë, në vlera nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person. Dëmi shtesë i evidentuar nga këto veprime vlerësohet në rreth 200 mijë euro, ndërsa dëmi total arrin në rreth 1.24 milion euro.

Në kuadër të hetimit financiar, janë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, përfshirë parcela, banesa dhe garazhe, të lidhura me tre të pandehurit kryesorë.

Nga veprimet e deritanishme hetimore ekziston dyshimi se këta të pandehur, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të të hollave pa mbulesë, në vlera që variojnë nga 2,000 euro deri në 53, 000 euro për person, duke shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë, nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, zëvendëskryeprokurorin, si dhe një prokuror nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren, krahas hetimit penal, ka zhvilluar në mënyrë paralele edhe hetimin financiar me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiar të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit, gjurmimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet e realizuara nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Sipas njoftimit, si rezultat i këtyre veprimeve hetimore dhe financiare, sot janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, duke përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, të cilat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Gjithashtu, gjatë ditës së martë,  Prokuroria në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjencës Financiar, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër