Zulfaj në Helsinki kërkon mbështetjen e Finlandës për avancimin e Kosovës në BE

Nga D. V.
1,060 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, është takuar në Helsinki me Ministrin për Çështje Evropiane të Finlandës, Joakim Strand, ku është diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Në takim morën pjesë edhe Drejtoresha e Përgjithshme dhe Sekretarja e Shtetit për Çështje të BE-së në Zyrën e Kryeministrit të Finlandës, Minna Kivimäki, këshilltari i lartë i ministrit, Alexander Strand, zyrtari Lang dhe udhëheqësja e ekipit, Inkeri Virttanen-Abernethy.

Sipas njoftimit, statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishin temat kryesore të takimit.

Zulfaj falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe kontributin e saj në shtetndërtim dhe zhvillim, duke kërkuar mbështetje aktive në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Ai theksoi se progresi i Kosovës në sundimin e ligjit, forcimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe harmonizimi i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, e bëjnë Kosovën të denjë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit finlandezë rikonfirmuan mbështetjen e Finlandës për perspektivën evropiane të Kosovës, duke vlerësuar se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e kritereve të kërkuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër