Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Në Shkup sot u shënua 116‑vjetori i lindjes së Nënë Terezës, me vendosjen e luleve para pllakës përkujtimore në shtëpinë e saj të lindjes në qendër të kryeqytetit. Ceremonia hapi një varg aktivitetesh që do të zgjasin rreth dhjetë ditë.
I pari që vendosi lule dhe udhëhoqi delegacionet ishte ministri për çështje evropiane dhe zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, Bekim Sali. Ai theksoi rëndësinë e trashëgimisë së Nënë Terezës:
“Jemi këtu pranë shtëpisë së vjetër të Nënë Terezës, aty ku familja Bojaxhiu kishte një vajzë që e përçoi mesazhin e humanizmit në mbarë botën. Për ne është krenari si shkupjane, si shqiptare, dhe kemi detyrë të kujtojmë veprën e saj dhe mesazhin që e njeh e gjithë bota”, tha Sali.
Në të njëjtën deklaratë, ministri shtoi se sot nis edhe faza e dytë e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë, projekt që pritet të lehtësojë lidhjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke krijuar një korridor të ri ekonomik e rajonal.
